Lëvizjet e papritura nga SHBA dhe Perëndimi për të pushuar luftën në Ukrainë

Pas përshkallëzimit dhe frikës së një konflikti të zgjatur me pasoja katastrofike, të luftës në Ukranië, lëvizja e SHBA-së dhe Perëndimit janë intesifikuar gjatë 24 orëve të fundit.

Për herë të parë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka kontaktuar me homologun e tij rus Sergei Shoigu, duke i kërkuar atij një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa ka propozuar dhe një linjë të hapur midis Uashingtonit dhe Moskës.

Edhe pse biseda mes tyre  nuk dha fryte, por thjesh komunikimi tregon një përpjeke për të zgjidhur krizën që ka tronditur botën që nga 24 shkurti kur trupat e Vladimir Putinit hynë në Ukrainë.

Kjo lëvizje e Uashingtonit vjen vetëm një ditë pasi kryeministri italian Mario Draghi deklaroi se presidenti amerikan Joe Biden ka shprehur nevojën e një bisede me presidentin rus Vladimir Putinit për të gjetur një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës.

Por dhe deklarata e presidentit  Volodymyr Zelenskit dhënë për shtypin ukrainas tregoi se Parisi po përpiqet të bëjë presion mbi Kievin për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti.

 Sipas raporteve ukrainase, presidenti francez Emanuel Macron i kishte propozuar Zelensey-t t'i bënte lëshime territoriale Rusisë në mënyrë që të gjente një zgjidhje paqësore dhe t'i jepte fund luftës.

"Unë e di se ai (Macron) donte të kishte një efekt në ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës, por ai nuk e pati atë," tha Zelensky duke vënë në dukje se "derisa Rusia të tërhiqet nga Ukraina, koha për t'u ulur rreth tryezës me Putinin  ka mbaruar, nuk është më e mundur".

Kujtojmë që Macron pak ditë më parë deklaroi se për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, duhet gjetur një zgjidhje paqësore , "pa poshtëruar Rusinë".

Ndërsa zyra e presidencës franceze ka mohuar akuzat për presion ndaj Kievit për lëshime territoriale. 

“Presidenti i Republikës nuk ka diskutuar kurrë asgjë me Vladimir Putin pa pëlqimin e Presidentit Zelensky. Ai gjithmonë thoshte se ukrainasit janë ata që vendosin kushtet e negociatave të tyre me rusët”.

Faza e tretë e pushtimit

Me operacionet ushtarake ruse të fokusuara në pjesën lindore të Ukrainës , por edhe zonat në qendër të vendit, pa u ditur se si dhe çfarë saktësisht duan të bëjnë në frontin jugor, bregdetar, Kievi e konsideron që lufta ka hyrë në fazën e tretë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës, Viktor Andrushev tha të premten se në fazën e re, trupat ruse do të kenë qëllimin kryesor mbrojtjen e territoreve që kishin marrë deri më tani, pas më shumë se dy muaj e gjysmë sulmesh.

 Zyrtari ukrainas vlerëson se kjo fazë e luftës do të ketë luftime të zgjatura. 

Sipas analizës së tij, faza e parë ishte përpjekja për të pushtuar Ukrainën "brenda pak ditësh ", diçka që forcat ruse nuk ia dolën, ndërsa e dyta kishte për qëllim rrethimin e forcave ukrainase dhe mposhtjen e tyre në zona të ndryshme të rrethuara.

Përfundimi është se rusët po planifikojnë një luftë të zgjatur, në mënyrë që përmes një shtytje të gjatë të arrijnë negociatat që duan.