EMRAT/ SPAK përfundon hetimet, çon për gjykim 'të fortin' e 'Myslym Shyrit' dhe 11 të tjerë

 

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për Gjergji Cukalin, Enver e Edmond Jamakun, Sokol Xhurën dhe 9 të pandehur e tjerë me akuzat për atentatin me tritol ndaj Gjon Menës në Kamëz. Ngjarje e cila çoi në zbërthimin e krimeve të rënda si atentate, trafikim droge e posedim të magazinave me armatime që u zbërthyen me arrestimin e enver Jamakut. Çështja për 12 të pandehurit ka kaluar për gjykim ndërsa SPAK kërkon pushim të hetimeve për 2 të tjerë pasi mungojnë provat.

Gergj Cukali, Enver dhe Edmond Jamaku, Sokol Xhura dhe 7 persona të tjerë janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme teksa ka përfunduar hetimet ndaj tyre. Ndërkohë që për mungesë provash është kërkuar pushimi i hetimeve ndaj personave nën hetim Festim Mustafa dhe Klodian Kulla.

Dymbëdhetëshja akuzohen për vepra të rënda penale. Gjergji Cukali, i njohur edhe me nofkën “I forti i ‘Myslym Shyrit’”, i azkuar mes të tjerave edhe për vrasjen e ish-efektivit të Policisë, Arben Bilali, u zbulua nga Enver Jamaku se kundrejt 30 mijë eurove porositi vrasjen e Gjon Menës, përmes tritolit që iu vendos në makinë, por që shpëtoi mrekullisht, më 9 shkurt të 2021.

Ndërkohë që Enver Jamaku është një tjetër person me rekorde kriminale, i cili ra në pranga pas hetimeve për atentatin ndaj Menës, dhe ishte pikërisht personi që nxiti një megaoperacion në prill të vitit të kaluar, ku u zbuluan 18 baza ku modifikoheshin armatime.

Jamaku ndihmoi hetuesit që të zbardhnin edhe tre ngjarje të tjera kriminale, ku ai dhe kushëriri Ermond Jamaku kanë qenë të përfshirë. Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi, disa nga të arrestuarit gjatë megaoperacionit, dyshohet se në bashkëpunim edhe me dy kushërinjtë Enver dhe Ermond Jamaku janë autorë të tentativës së vrasjes me eksploziv të telekomanduar në makinën e Artian Bylyku, kunatit të Domart Konjarit.

Ngjarje kjo e ndodhur më 18 tetor të 2019-ës në Tiranë. Gjithashtu kushurinjtë Jamaku, së bashku me të shpallurin në kërkim Sokol Xhura dyshohet të jenë autorë të sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, ngjarje e ndodhur më 10 shtator të 2017-ës, në Tiranë.

Dyshimet ndaj tyre lidhen edhe me vendosjen e eksplozivit, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një sasie heroine në banesën e Edmond Saraçi, të arrestuar më 15 shtator 2017 në Tiranë, si një nga autorët e sulmit ndaj avokatit Papleka.