Shehi: Ndeshja pas derbit ka më pak motivim, rinovimi me Tiranën nuk ka lidhje me paratë

Orges Shehi, trajneri i Tiranës, në prag të Klasikes së Shqipërisë kundër Vllaznisë, doli para mediave dhe fillimisht u ngacmua në lidhje me motivimin e skuadrës së tij pas sigurimit të titullit kampion.

“Ndeshje të tilla, kur vjen pas një triumfi në derbi dhe atë që kemi dëshiruar gjithmonë që të ishim kampionët e Shqipërisë, ka pak vështirësi për motivim. Kundërshtari që do të kemi përballë të imponon respekt. Është një klasike dhe do të ketë vlerësimin tonë nesër”.

“Të gjithë lojtarët që kanë qenë pjesë e skuadrës kanë marrë minuta, disa më pak dhe disa më shumë. Ne kurrsesi nuk mund ta prishim strukturën. Nesër do të kemi ndonjë lojtar që ka pasur pak minuta në fushë dhe kjo bën mirë sepse ato lojtarë kanë uri për të luajtur dhe për të pasur atë grintën sepse dhe minutat nuk kanë qenë të plota. Është e sigurt që Hoxhallari do ta nisë ndeshjen nga pankina dhe në vendin e tij do të aktivizohet Zhivanaj.”

“Ne kemi dalë kampionë, dhe si të tillë duhet të sillemi, kjo vlen edhe për ndeshjet e mbetura. Duhet të futemi në fushë për të bërë më të mirën tonë. Kemi disa objektiva për të arritur, kemi dy lojtarë siç janë Xhixha dhe Seferi që janë në krye të listës së golashënuesve, por duam që edhe faza difensive të jetë gjithmonë e para. Duam që raporti mbrojtje-sulm të jetë me shifrat aktuale”.

“E ardhmja? Dëshira është e të dyja palëve që ne të vazhdojmë bashkë. Kemi nisur një rrugëtim të gjithë bashkë, duke qenë pjesa kryesore e ndërtimit të skuadrës. Një gjë është e sigurt, që në mes nuk janë paratë, por është projekti dhe që të jemi gjithmonë kompetitiv”, tha Shehi.