Ish kreu i SHIK, Fatos Klosi: Kanabisi po cenon Sigurinë Kombëtare, të ndërhyjë ushtria

Edhe Fatos Klosi është përfshirë në debatin e fundit që ka plasur mes ministrit të LSI-së Ylli Manjani dhe atyre të Rilindjes, Mimi Kodheli dhe Saimir Tahiri, për inkuadrimin ose jo të ushtrisë shqiptare në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Në një intervistë për “A1 News”, ish- shefi i SHIK, shprehet se duhet ndryshuar strategjia e luftës kundër kanabisit dhe se ky fenomen duhet të konsideruar nga qeveria si shoqëror dhe jo vetëm si kriminal. Klosi mbështet tezën e hedhur nga ministri i Drejtësisë për inkuadrimin e forcave ushtarake në teren, për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Sipas tij, situata është shumë shqetësuese dhe ky hap është i domosdoshëm.

“Duhet të pranojmë që kultivimi i kanabisit në Shqipëri nuk është më një fenomen kriminal, po bëhet avash një fenomen shoqëror. Situata në fshat, shpejtësia me të cilën shpresojnë njerëzit të pasurohen me anë të kanabisit, se nuk pasurohen fshatarët por shefat, eksperienca e atyre që e kanë kultivuar...të gjitha së bashku kanë çuar në këtë situatë. Unë nuk jam i mendjes që shteti nuk po punon, në polici ka njerëz të mire dhe ajo po bën maksimumin, por është përhapur shumë.

Dhe siç e tha dhe kryeministri nuk mbillet atje ku është toka bujqësore, mbillet atje që është larg syrit të njerëzve, në terrene të largëta dhe është arritje teknologjike, duke shpyllëzuar dhe kanë çuar ujë. E ruajnë me forca të mëdha. Nuk duhet konsideruar vetëm si fenomen kriminal, por më e rëndësishmja është fenomen shoqëror. Nëse konsiderohet edhe ndihma e ushtrisë, që unë mendoj që po, duhet rishikuar si mundësi. Jo me këtë ligj që kemi sot, sepse ushtria ka detyra të tjera, por duke ndërruar disa ligje mund t’i vihen edhe këto detyra”, deklaroi Klosi gjatë intervistës.

Gjithashtu ish drejtuesi i SHIK-ut (Sot SHISH) për një periudhë të gjatë, e konsideron situatën e kanabisit në vendin tonë si një cenim të Sigurisë Kombëtare, prandaj edhe ndërhyrja me trupa të specializuara ushtarake është normale, madje edhe e domosdoshme.

 “Nuk është hera e parë që ndodh që ushtria merret me probleme të brendshme. Në Itali janë karabinierët, që janë më të njohur se policia, është xhandarmëria në Francë dhe Spanjë. Nëse një fenomen e cenon rëndë sigurinë kombëtare, në këtë rast kanabisi, unë them që ushtria mund ta ketë këtë detyrë.

Reparte të caktuar të ushtrisë kërkojnë ligje të caktuara dhe duhet menduar, sepse ushtria nuk është vetëm për të shkuar në Afganistan, ne mirë bëjmë që kontribuojmë, por problemi i kanabisit në Shqipëri është më i rëndësishëm se Afganistani. Në Afganistan ne jemi për të shtuar numrin e atyre që kontribuojnë, ne nuk kemi shumë peshë atje, për këtë jam i sigurt. Por problem që kemi me kanabisin është më i madh”, deklaron Klosi.