VIDEO/ Si u zhduk në kurth batalioni rus: Poshtërimi i fundit për Putinin
BILD
Ata donin të ndërtonin një urë mbi lumin Donets për të rrethuar qytetin e Lysyhansk, që ndodhet në verilindje të Luhanskut. Por ranë në një kurth- dhe një fiasko...
Pothuajse një batalion i tërë rus u fshi. Sipas vlerësimeve, rreth 1500 ushtarë rusë vdiqën dhe deri në 50 automjete u shkatërruan. Ironikisht, në Ditën e Fitores më 9 maj, ushtria ukrainase i shkaktoi diktatorit të Kremlinit, Vladimir Putin, një disfatë të rëndë.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës postoi disa pamje me dron të betejës me humbje të rënda për rusët. “Artileria e brigadës së 17-të të tankeve të ushtrisë ukrainase hapi sezonin e festave për rusët. Disa prej tyre u mbytën në Donets, të tjerët u dogjën nga dielli i majit”.
Maximi, një nga ushtarët ukrainas të përfshirë në këtë betejë, e përshkruan me detaje se si ndodhi kjo.
“Unë jam një inxhinier ushtarak dhe oficer xhenio. Kam shërbyer në Donbas përpara pushtimit të fundit. Kohët e fundit kam kryer një mision që prishi planet e rusëve për të rrethuar qytetin Lysyhansk dhe shkaktoi shumë viktima ruse”.
“Fillimisht pati informacione nga njësitë e vijës së parë se rusët ndodhen në anën tjetër të lumit dhe po grumbullojnë automjete të ndryshme. Kështu më 6 maj, komandanti im, si një nga inxhinierët më të mirë ushtarakë, më kërkoi të kryeja një zbulim teknik në lumin Donets.
Së bashku me njësitë e përforcimit, u nisa më 7 maj për të vëzhguar zonën. Njësitë e vijës së parë njoftuan se disa automjete ruse ishin grumbulluar në anën tjetër të lumit. Eksplorova zonën dhe sugjerova një vend ku rusët mund të përpiqeshin të ngrinin një urë të përkohshme për të shkuar në anën tjetër. Përllogarita se rusëve do u duhej të përdornin 8 pjesë nga 10 metra secila për të kaluar distancën prej 80 metrash”.
“Me rrymën e lumit, e dija se do kishin nevojë për varka me motor për të ndërtuar një urë të tilë dhe se do u duheshin të paktën dy orë punë. M’u desh një ditë për të kontrolluar gjithçka. Informacionin ua raportova komandantëve të mi.
Gjithashtu i thashë njësisë që monitoronte atë pjesë të lumit që të ruanin për zhurmat e motobarkave. Shikueshmëria në atë zonë ishte e ulët pasi rusët dogjën fushat dhe pyjet dhe hodhën shumë granata tymuese. Ishte edhe mjegull.
Ata duhet të dëgjonin zhurmat. Kjo ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 majit. Pikërisht aty ku e kisha parashikuar. Isha atje për të kontrolluar dhe me dronin tim pashë se si rusët po ngrinin urën-ponton. E raportova menjëherë te kolegët e mi”.
"Kur e mendoj tani, besoj se zbulimi im dhe të dhënat që dërgova për njësinë monitoruese të lumit kanë pasur ndikim të madh. Rusët u përpoqën të ngrenë urën aty ku mendova unë se do ishte. Njësia e lumit nuk i pa rusët, por mundi të dëgjonte varkat me motor dhe raportoi menjëherë.
Artileria ishte gati. Ne ishim në gjendje të konfirmonim se rusët ngritën 7 nga 8 pjesë të urës. Rusët madje arritën të lëvizin disa trupa dhe automjete përtej lumit. Nisën luftimet.
Për rreth 20 minuta pasi njësia e zbulimit konfirmoi se ura ruse ishte duke u montuar, kundër forcave ruse u përdor artileria e rëndë dhe më pas u përfshi edhe forca ajrore. Unë isha ende në zonë dhe kurrë nuk kam parë e dëgjuar një luftë kaq të rëndë në jetën time”.
“Pas një ditë lutimesh, ura u shkatërrua mëngjesin e 9 majit. Disa forca ruse, rreth 30-50 automjetet plus këmbësori, kishin ngecur në anën ukrainase të lumit, pa rrugë kthimi. Ata u përpoqën që të iknin përmes një ure të thyer. Më pas tentuan të rregullojnë një urë të re.
Por flota ajrore nisi bombardimet e rënda, duke shkatërruar çdo mbetje të rusëve aty, dhe urat e tjera që po përpiqeshin të ndërtonin. Ka zëra se mbi 1500 rusë kanë vdekur. Qëllimi i tyre strategjik ishte që të kalonin lumin dhe më pas të rrethonin qytetin Lysyhansk. Ata dështuan keq”.
“10 maj: Ura e pontonit u shkatërrua plotësisht. Pikërisht atëherë u publikuan foto nga zona. Isha atje dhe punova së bashku me heronjtë e tjerë ukrainas. Bëra pjesën time dhe kjo pati një ndikim të rëndësishëm. Krenar që i shërbejmë Ukrainës”.