Dy Titan ka Shqipëria, i zbulon Baton Haxhia!

Nga i gjithë debati i mbrëmshëm te Blendi Fevziu, ku u diskutua, stërhollua e u zbulua e vërteta për koalicionin Rama-Meta dhe në fund u vendos fati i tij, ajo që do të mbahet mënd gjatë është psallma e Baton Haxhiut, e cila mësohet se ka përlotur mijëra fansa të Ramës dhe Ilir Metës. Analisti nga Prishtina që pretendon se i di më mirë punët e Surelit dhe Kodrës së Diellit, edhe se vetë Fuga dhe Fari Balliu zbuloi dhe përshkroi dhimbjen e betejës së egër, mes Ramë idealistit dhe Metës pragmatist, madje fare  i pashpirt.

“…Meta është pragmatik, ka një pashpirtësi në pragmatizëm, Rama është i mbështjellur në idealizëm për reformën”, thotë Batoni.

Vetëm pak ditë pasi i  bëri thirrje publike ustait të tij Edi Ramës, që të flakë helmin-Meta nga koalicioni dhe të vazhdojë i vetëm rrugën e gjithëpushtetit, mbrëmë dha lajmin që lufta mes dy Titanëve ka përfunduar me një marrëveshje.

“Raporti i tyre është me dhimbje, se është një betejë politike, kanë përplasje serioze por kanë qetësi në opinionin publik, janë të pavërejtshëm në betejën e dy titanëve…100 % duhet të dalin veçmas edhe pse e kanë arritur marrëveshjen për të dalë bashkë, vetëm nëse ndodh ndonje gjë që është e paparashikueshme”, hodhi në eter Batoini lajmin e madh, të mbushur plot trishtim dhe gëzim njëkohësisht.

Ka qenë pikërisht ky moment, pra njoftimi i mbarë botës se lufta mes dy Titanëve që ka Shqipëria, (Ilir Meta dhe Ed Gjergj Ram Elez Alia) ka përfunduar, që ka bërë mijëra militant por dhe popullin e thjeshtë të shpërthejnë në lot.

I derdhën fillimisht lotët çurg nga keqardhja, kur mësuan se sa shumë kishin vuajtur dhe sa dhimbje kanë përjetuar dy Titanët e Shqipërisë në betejën e tyre epike për të mirën e tyre; sidomos titani idealist Rama, që mendon e jeton vetëm për reformat. Burime të sigurta pranë Fevziut konfirmojnë, se shikueshmëria e emisionit në ato momente, kur Batoni rrëfente dhimbjen e madhe të tyre ja kaloi edhe episodit të Bidait kur vdiq Sadna.

Por kur Batoni shpejt e shpejt, me siguri 100% konfirmoi se Titanët pas luftës së mundimshme më në fund, “e kanë arritur marrëveshjen për të dalë bashkë”, lotët e keqardhjes u shndërruan në spazma gëzimi, njësoj siç bëjnë te telenovela tjetër po aq e ndjekur pas `Opinion`, ` Sarasvatiçandra`, kur ribashkohet Sarasi me Kumudin.

Tani që e mësuam se cilët janë Titanët e Shqipërisë dhe se ata e kanë ndërprerë luftën për të mirën e vendit dhe janë bërë sërish bashkë, po për të mirën e Shqipërisë, e vetmja çështje madhore e ngelur dhe që duhet ta zgjidhë sa më shpejt Batoni është; do hyjë apo jo Mali i Zi në NATO....

SYRI.net