Vrau vjehrrën e shqiptares/ Arratia nga burgu me gardianen trondit SHBA

Një gardiane burgu, e cila ishte arratisur me një të dyshuar për vrasje nga një burg në Alabama të SHBA, vdiq pasi qëlloi vetën pak pasi çifti u kap nga policia.

Ngjarja që ka tronditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte në qendër të saj gardianen Vicky White, 58 vjeç, e cila u arratis me të burgosurin Casey White, 38 vjeç.

Të dy u zhdukën nga burgu më 29 prill dhe besohej se ishin në një marrëdhënie dashurie.

Hera e fundit që u panë ishte teksa ajo e transportoi të burgosurin për gjoja një vlerësim të shëndetit mendor.

Kjo ishte dita e fundit në punë për White. Ajo u kishte thënë kolegëve se kishte në plan që të dilte në pension dhe të kalonte më shumë kohë në plazh.

Çifti u arratis për ditë të tëra, teksa policia i pikasi në Evansville. Pas një ndjekje me policinë, makina e të burgosurit dhe gardianes u përplas.

Casey White u dorëzua, por gardiania qëlloi veten. Ajo ndërroi jetë në spital.

Casey White përshkruhej si një person shumë i rrezikshëm. Ai ishte arrestuar në vitin 2020 për vrasjen e një gruaje 58-vjeçare, të quajtur Connie Ridgeway.

Ai pranoi fillimisht se e kishte vrarë gruan me thikë, por më pas mohoi akuzat dhe deklaroi se ishte i çmendur.

White rrezikon të ekzekutohet nëse dënohet. Ai ishte dënuar në të shkuarën për disa krime të dhunshme si vjedhje dhe ndjekje policore.

Viktima e White ishte nëna e dy djemve. Njëri prej tyre, Austin është i martuar me një shqiptare, të quajtur Eljona.

Austin ka thënë për CNN se nëna e tij fliste shpesh me Eljonën, që në atë kohë ishte në Shqipëri, por nuk u takuan kurrë personalisht.

Mesazhi i fundit që kishte dërguar ajo, katër ditë para se të gjendej trupi i saj, ishte në lidhje me vizën e Eljonës dhe planet për martesën mes saj dhe të birit.

Ajo nuk mundi të ishte në dasmën e tyre.