Tharja e liqenit të Las Vegasit zbulon të tjera eshtra njerëzore

Të tjera eshtra njerëzore janë gjetur në liqenin Mead, vetëm një javë pasi trupi i një viktime që dyshohet se është vrarë u gjet në rezervuarin që po tkurret me shpejtësi.

Mbetjet e fundit u raportuan te rojet e parkut të shtunën. Më 1 maj, një trup u gjet në një fuçi të ngecur në baltën e vijës bregdetare të liqenit.

Rezervuari më i madh në SHBA, liqeni Mead, furnizon me ujë të pijshëm 20 milionë banorë nga Las Vegas në Los Angeles. Policia paralajmëroi se me siguri edhe më shumë trupa do të gjenden ndërsa liqeni tërhiqet.

Nivelet e liqenit Mead kanë ardhur në rënie që nga viti 2000 - thatësirat janë përkeqësuar vitet e fundit, dhe shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës po e përkeqëson situatën.

Hetuesit thonë se trupi i gjetur javën e kaluar nga skafistët i përkiste një personi që u qëllua për vdekje në vitet 1970 ose 80.

Detektivi i vrasjeve në Las Vegas, nënkoloneli Ray Spencer tha për mediat lokale se koha u përcaktua për shkak të rrobave dhe këpucëve të viktimës, të cilat shiteshin në dyqanet Kmart në atë kohë.

Hulumtime të mëtejshme po kryhen për të studiuar metalin e gërryer të fuçisë për të tjera të dhëna.

"Do të jetë një rast shumë i vështirë," i tha leitnant Spencer,  “CBS News” në Las Vegas pas zbulimit të parë. "Niveli i ujit po bie dhe ne mund të gjejmë mbetje njerëzore të tjera."

Dhe këtë fundjavë, ai parashikim doli i saktë. Shërbimi i Parkut Kombëtar, i cili patrullon liqenin Mead, tha se zbulimi i fundit i "mbeturjeve skeletore njerëzore" u raportua nga dëshmitarët të shtunën pasdite. "Hetimi është në vazhdim. Nuk ka informacion të mëtejshëm në këtë moment," thanë zyrtarët e parkut në një deklaratë për shtyp.