Ukraina: Forcat ruse po mësyjnë në uzinën e çelikut në Mariupol

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës thotë se forcat ruse po kryejnë "operacione mësymjeje" në uzinën e çelikut Azovstal në Mariupol, ku qindra mbrojtës ukrainas vazhdojnë të rezistojnë nën sulmet ruse.

Petro Andriushchenko, një këshilltar i kryetarit të bashkisë së Mariupolit, tha se forcat ruse filluan rrethimin e uzinës pasi një kolonë e OKB-së u largua nga rajoni i Donetsk, njofton BBC.

Rusët po përpiqeshin të hidhnin në erë një urë të përdorur për evakuime në mënyrë që të bllokonin mbrojtësit e fundit brenda, tha ai.

Mariupol shtrihet midis gadishullit të Krimesë të administruar nga Rusia dhe pjesëve të Ukrainës lindore që mbahen nga separatistët rusë. Moska synon ta shtijë në dorë që të lidhë dy zonat dhe të konsolidojë përfitimet e saj në lindje.

"Si të mbijetosh pa ujë"

Gruaja e një ushtari ukrainas që lufton në uzinën e çelikut tregoi se i shoqi i tha se situata po bëhej gjithnjë e më e dëshpëruar, me furnizimet me ujë duke u pakësuar dhe qindra ushtarë të plagosur të bllokuar.

Në një intervistë për BBC, Yuliia Feosiuk tha se kur foli për herë të fundit me bashkëshortin e saj, ai i kërkoi asaj të kërkonte artikuj "se si të jetosh pa ujë sa më gjatë të jetë e mundur".

Feosiuk tha se burri i saj raportoi gjithashtu se rreth 700 ushtarë të plagosur ishin bllokuar në uzinë dhe se trupat e ushtarëve të vdekur po mbaheshin në frigorifer.