Laçi siguron vendin e dytë, kurbinasit përmbysin me goleadë Kastriotin

Laçi mposht bindshëm 4-1 Kastriotin dhe siguron matematikisht vendin e dytë në renditjen e Superiores. Kurbinasit sigurojnë pjesëmarrjen në Europa League dhe mund të mbyllin sezonin me një trofe, pasi kanë edhe finalen e Kupës për të luajtur kundër Vllaznisë.

Ndonëse krutanët shënojnë të parët, skuadra e Duros ka luajtur më mirë gjatë gjithë takimit dhe arrin të përmbysë disavantazhin fillestar, duke shënuar plot 4 gola në portën e kundërshtarit. Laçi siguron Europën, ndërsa Kastrioti nuk ka më asnjë objektiv në këto javë të mbetura të Superiores.

Laçi nis shumë mirë ndeshjen dhe dominon kundërshtarin. Kurbinasit i afrohen golit me Mazrekaj, Deliu dhe Guindo, por goditjet e tyre nuk përfundojnë në rrjetë. Me kalimin e minutave edhe Kastrioti sheh përpara dhe rrezikon me Grecën dhe Ajazin.

Ka një prekje të topit me dorë në zonë dhe pas verifikimit në VAR, krutanët fitojnë një penallti. Spartak Ajazi tregohet i saktë nga 11-metrat dhe kalon në avantazh Kastriotin.

Laçi reagon menjëherë dhe brenda 2 minutash përmbys gjithçka. Adeleke barazon shifrat, ndërsa Shehu kalon në avantazh skuadrën e Shpëtim Duros.

Vendasit nisin vrullshëm edhe pjesën e dytë, pasi duan që të mbyllin historinë e kësaj sfide. Provojnë kurbinasit në disa raste të gjejnë golin por portieri Sali ndal gjithçka që vjen drejt tij.

Adeleke shënon, por goli i tij anulohet për pozicion jashtë loje. Qato shënon një supergol nga distanca, ndërsa pak minuta më vonë gjyqtari jep një penallti për Laçin, por e anulon pasi e sheh në VAR.

Kastrioti mundohet të reagojë, por vendasit shënojnë edhe golin e katërt me Zarubican dhe mbyllin përfundimisht këtë takim.