Arsenal siguron fitoren ndaj Leeds, Everton rrëmben tre pikët për mbijetesë

Arsenali ka marrë pikë të plota përballë Leeds United (2-1) në ndeshjen e Ligës Premier që u zhvillua në Emirates Stadium.

Topçinjtë krijuan epërsi të dyfishtë në fraksionin e parë, ndërsa Eddie Nketiah ishte autor i të dy golave (5’ dhe 10’).

Në minutën e 27-të gjërat u përkeqësuan për mysafirët, sepse mbetën me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Luke Ayling me karton të kuq.

Përkundër inferioritetit numerik, vizitorët ia dolën ta ngushtojnë rezultatin në gjysmën e dytë me golin e Diego Llorente.

Në përballjen mes Leicester City dhe Everton, skuadra mike arriti të rrëmbente 3 pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë, pasi të besuarit e Frank Lampard arritën të fitonin me shifrat 2-1.

Golin e avantazhit për Everton e shënoi Mykolenko 6’, teksa në minutën e 11-të u barazuan shifrat, pasi Daka vendosi baraspeshën. Për t’i dhënë sërish avantazhin të besuarve të Lampard shënoi Holgate në minutën e 30-të, teksa do të ishte edhe goli i një fitoreje të madhe për skuadrën e tij, në garën për mbijetesë.

Me këtë fitore Everton shkon në kuotën e 35 pikëve në vendin e 16-të, vetëm 1 pikë më shumë se Leeds që u mposht nga Arsenali.