Ekstradohet nga Gjermania ish-truproja i Saimir Tahirit, trafikoi 1 ton drogë në Itali

Interpol Tirana njofton se është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë, 47-vjeçari Hekuran Marku, ish-truprojë i Saimir Tahirit, i kërkuar për disa vepra penale.

Marku u arrestua nga policia gjermane me kërkesë të SPAK disa javë më parë. 

Prokuroria e Posaçme ngriti akuza për trafik droge në kuadër të operacionit 'Shpirti', ndaj dy ish-truprojave të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Agustin Deda. Ky i fundit u arrestua gjithashtu në Francë. 

Seanca për masën e sigurisë në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet të dielën në orën 09:30. 

Njoftimi i Interpol
Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët gjermanë, u bë e mundur kapja në Gjermani dhe ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit H. M., 47 vjeç.

Shtetasi H. M. është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana.

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në kuadër të operacionit “Shpirti”, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafik narkotikësh”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.

***

Hekuran Marku dhe Agustin Deda akuzohen se gjatë kohës që kanë shërbyer si truproja të ministrit Tahiri kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë.

Përfshirja e tyre në trafikun e drogës ka dalë nga dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë, të cilët kanë rrëfyer në Bari për rrjetin e trafikut nga Shqipëria drejt Italisë. Ndërsa Marku është ekstraduar në Shqipëri, Agustin Deda ka kërkuar azil politik në Francë dhe kërkesa e tij po shqyrtohet nga autoritetet vendase.

Operacioni “Shpirti” kundër trafikut ndërkombëtar të drogës u zhvillua më 7 korrik të vitit të kaluar, në bashkëpunim me institucionet italiane të drejtësisë. 

38 persona janë arrestuar për akuza të ndryshme si korrupsion, abuzim me detyrën, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge.