VIDEO-SYRI TV/ Furra e bukës në Fier i vjedh grurin fermerëve në Fier dhe shpall falimentin

Banorët e 6 fshatrave në Fier kanë rënë pre e një skeme mashtrimi, ku një kompani u ka mbledhur atyre të gjithë prodhimin e grurit me premtimin se do t’ua kthente në bukë gjatë vitit. Por pasi u ka mbledhur prodhimin e fshatarëve, pronarët e kompanisë u zhdukën duke shpallur falimentimin. 

Nga SYRI TV

Qindra familje të fshatrave Kallm i Madh, Kallm i Vogël, Kallm Buxhak, Verri, Vajkan, Ardenicë dhe Petovë prej afro 5 muajsh janë vënë në vështirësi për sigurimin e bukës së përditshme.

Shkak është bërë firma "Sota" që ua grumbullonte grurin dhe në këmbim e përpunonte, u piqte bukë dhe ua shpërndante nëpër banesa kundrejt çmimit 20 lekë.

Këtë  praktikë firma e bënte prej 5 vjetë. Por prej 5 muajsh kjo kompani u mbyll e bashkë me falimentimin, zhduku edhe prodhimin e grurit të banorëve të këtyre fshatrave.

Pak muaj pasi të mbyllej, kompania grumbulloi grurin dhe misrin që banorët e këtyre fshatrave kishin prodhuar vitin e fundit e atë do t’ua kthente në bukë, kundrejt pagesës. Por pasi ua mblodhi prodhimin thuajse të gjithë fshatit, kompania shpalli falimentimin, duke i lënë pa bukë këto familje.

Banorët duket se i kanë humbur shpresat për gjetjen e një zgjidhjeje, ndaj kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve për të ndërhyrë në rastin, minimalisht që pronarët e kësaj furre buke t’u njohin, detyrimin.