Heshtja e policisë për të rinjtë që po humbin jetën në komisariate

Duke shpjeguar me detaje se si Ilvi Meta ishte vetëvrarë në qelinë e Komisariatit të Kavajës, policia rrëzoi akuzat e familjarëve të viktimës, të cilët akuzuan fillimisht uniformat blu se 31-vjeçari ishte vrarë nga dhuna në komisariat. Në mbrëmje u publikuan edhe fotot e trupit të pajetë të Ilvi Metës. Mbi qafën e tij duken qartë shenjat e lidhëses, me të cilën i ka dhënë fund jetës, ndërsa në trup nuk ka shenja dhune. Të gjitha këto e përforcojnë versionin, se jeta e 31-vjeçarit nuk u ndërpre nga dhuna e policëve.

Por a mjafton kjo për të shfajësuar drejtuesit e policisë së Kavajës? A duhet të ishte siguruar jeta e një të arrestuari, duke i hequr çdo mundësi për t’u vetëvrarë në kushtet e traumës pas arrestimit? A ka sadopak përgjegjësi morale për humbjen e jetës së një djali të ri brenda një institucioni shtetëror?

Deri tani, Ministri i Brendshëm nuk ka asnjë reagim. As Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano. Asnjë reagim madje as nga Komisariati i Policisë së Kavajës.

Të gjithë mezi presin të harrohet jeta e humbur e Ilvi Metës, ndërsa mediat u njoftuan paradite për tre policë në prag pensioni që u arrestuan në Kavajë.

Indiferenca bëhet akoma më sfiduese, kur llogarit se një ngjarje akoma më e rëndë ndodhi në Kamëz një muaj më parë dhe sërish kaloi në heshtje. Viktima quhej Arben Mici dhe ishte 26-vjeç. Ai humbi jetën i asfiksuar nga tymi, pasi ndezi dyshekun prej sfungjeri dheu izolua për t’i dhënë fund jetës, i mbyllur në tualetin e nëndheshëm të komisariatit.

Edhe ky rast kaloi në heshtje nga drejtuesit e policisë. Vetëm dy policë u arrestuan.

Dhuna policore është rutinë në komisariatet e policisë dhe për herë të parë mori përgjigje pas vrasjes së Klodian Rashës. Ai u vra nga polici Nevaldo Hajdëraj gjatë ditëve të karantinës pak metra larg shtëpisë. Policia tentoi ta manipulojë ngjarjen kur gjeti pranë vendit të ngjarjes një pistoletë.

Për ditë me radhë në rrugët e Tiranës pati protesta dhe përleshje të vazhdueshme nga të rinjtë që kërkuan drejtësi. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u largua nga detyra dhe deklaroi se e jepte dorëheqjen sepse “një djalë humbi jetën në mënyrë të pajustifikueshme”/LAPSI