Kylian ka arritur marrëveshjen me PSG-në? Nëna e Mbappe me deklaratë zyrtare: Diskutimet rreth të ardhmes së...

E përditshmja franceze “Le Parisien”  dhe portali prestigjioz “Goal.com” bënë të ditur ditën e sotme se sulmuesi Kylian Mbappe ka rënë dakord për një kontratë të re dyvjeçare me PSG-në.

Mirëpo, diçka e tillë është mohuar nga mamaja e sulmuesit francez, e cila është shprehur se i biri i saj nuk ka asnjë marrëveshje në parim me Paris Saint-Germain apo ndonjë klub tjetër.

Deklaratë zyrtare nga nëna e Kylian Mbappe:

“Nuk ka asnjë marrëveshje në parim me Paris Saint-Germain apo ndonjë klub tjetër. Diskutimet rreth të ardhmes së Kylian vazhdojnë me qetësi të madhe në mënyrë që ai të bëjë zgjedhjen më të mirë, në respekt të të gjitha palëve”.

Kujtojmë, Mbappe ka shënuar 35 gola dhe ka dhuruar 23 asistime në të gjitha kompeticionet këtë sezon.

Transfermarkt thotë se aktualisht vlen deri në 160 milionë euro, por në 1 korrik mund të firmos me çdo klub si lojtar i lirë.