VIDEO-SYRI TV/ Presidenti i ri, Balla: Një President si Meta, zgjedhje e gabuar...

Partia Socialiste po hedh poshtë mundësinë e  zgjedhjes së një Presidenti nga radhët e opozitës. Mesazhet që dha kreut i Grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe Sekretari i Përgjithshëm, Damian Gjiknuri,  ishin se PS-ja i ka votat për ta zgjedhur e vetme Presidentin në rast se konsensusi dështon.

Nga SYRI TV

Megjithëse insiston se po bën përpjekje për të gjetur një emër konsensual, për kreun e ri të shtetit, Partia Socialiste  me gjasë nuk do t’i japë votat për një  President që vjen nga radhët e opozitës.

Kjo stepje e mazhorancës për të votuar një emër  nga radhët e opozitës,  sipas kreut të Grupit parlamentar të PS-së, Taulant Ballës, bëhet  për të shmangur një President të  ngjashëm me Ilir Metën. 

Për zgjedhjen e Presidenti të ri ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së.

Nga Elbasani, Damian Gjiknuri deklaroi se është herët për të folur për një emër, për shkak të negociatave por theksoi se në rast se konsensusi dështon, PS do ta zgjedhë e  vetme kreun e shtetit.

Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet më datë  10 maj për të çelur zyrtarisht procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit dhe për të thirrur më 16 maj, seancën plenare  për raundin e parë.

Deri më datë 15 maj,  palët kanë kohë për të paraqitur emrin e tyre për kandidatë potenciale, që duhet të mbështetet nga jo me pas se 20  deputetë.