Dhunimi i rregullores së Kuvendit?! Asnjë ambasador s’duhet të ndërhyjë!

1. Marrja e fjalës nga Sali Berisha në podiumin e Kuvendit duke zhvendosur Enkelejd Alibeajn mund të trajtohet edhe si mosrespektim i rregullores së Kuvendit, por në asnjë rast ajo s’do të mund të klasifikohej si një praktikë e vjetër dhe antidemokratike… sepse ajo ka ndodhur dhe vijon të ndodhë në parlamente të ndryshme të botës demokratike. Madje dikush do të “mburrej” për të kundërtën, por një “incident” i tillë në parlamentin komunist të para 1990 s’kishte asnjë mundësi të ndodhte sepse gjithçka ishte e planifikuar deri në detaje. Kjo që shqiptarët kanë parë disa ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë, ka ndodhur dhe ndodh në shumë parlamente demokratike të botës dhe në asnjë prej këtyre rasteve jo vetëm s’është parë e dëgjuar, po as ka qenë e nevojshme ndërhyrja e një përfaqësuesi të huaj. Janë vetë deputetët që vlerësojnë ngjarjen e mosrespektimit te rregullores se parlamentit nga aktorë të ndryshëm, përfshi edhe kryetaren e parlamentit, dhe gjejnë zgjidhjen e përshtatshme pa pasur nevojën e një arbitri, aq më pak të jashtëm?! Kjo do të ishte e papranueshme dhe cenim i rëndë i sovranitetit! Deri ofenduese! Ky është një përfundim që kam hasur tek shumë intelektualë me formim shkencor e të ndershëm në këtë vend të vogël, që mund të jetë i varfër ekonomikisht, por ka jo pak burra e gra të mençura...

2. Nga një analizë e thelluar, racionale e shkencore e kësaj ngjarje mund të arrihet në disa përfundime:

a) Antidemokratike dhe kundër dinjitetit njerëzor, e natyrisht dhunim i rëndë i rregullores së Kuvend, ka qenë fyerja e ofendimi që kryeministri Edi Rama i bëri ish-presidentit Sali Berisha me fjalën e tij të pashembullt duke e cilësuar ish-presidentin e vendit “të vdekur politikisht” (gjë që natyrisht është shumë e rëndë, por edhe për më tepër s’i përket KM të vendit të bëjë cilësime të tilla për ish-presidentin e vendit e deputetët në këtë legjislaturë, përderisa s’ka asnjë vendim të një gjykate shqiptare për një cilësim të tillë) që normalisht duhej të ndëshkohej nga struktura adekuate e Kuvendit të Shqipërisë, pa pasur nevojë të bëheshin deklarata nga aktorë të jashtëm, siç bëri ambasadorja e SHBA në Tiranë.

b) Antidemokratik dhe i ndëshkueshëm do të cilësohej edhe qëndrimi i kryetares së Kuvendit që s’i dha menjëherë fjalën ish-presidentit të vendit apo deputetit SB të replikonte sipas normave të rregullores së Kuvendit, por në dhunim të hapur të rregullores së Kuvendit iu mohua e drejta e fjalës ish-presidentit e deputetit të Kuvendit aktual për të shprehur qëndrimin e tij për ofendimet dhe fyerjet që kryeministri i vendit i bëri atij. Struktura adekuate e Kuvendit duhet të kishte marrë menjëherë në shqyrtim edhe këtë veprim të kryetares së Kuvendit dhe duhet ta kishin trajtuar sipas parashikimeve të rregullores...

c) Fyes, antidemokratik dhe në dhunim të rregullores së Kuvendit ishte edhe qëndrimi i kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla duke i dhënë fjalën pas ofendimeve dhe fyerjeve të kryeministrit ndaj ish-presidentit, një deputeti tjetër, konkretisht deputetit të PD, Enkelejd Alibeaj. Madje ky veprim i kryetares së Kuvendit është cilësuar nga shumë njerëz të ndershëm e të mençur të këtij vendi, i qëllimshëm dhe me synime diversioni ndaj opozitës e deri madje deri edhe i porositur nga kryeministri. Normalisht, deputeti Alibeaj, një jurist dhe njohës i mirë i rregullores së Kuvendit duhet të mos e pranonte këtë vendim të gabuar të kryetares së Kuvendit dhe ndërkohë të hidhte poshtë me neveri këtë diversion të panevojshëm...

3. Përfundimisht e përmbledhtas nga kjo analizë, të cilën duhet ta kishte bërë menjëherë struktura adekuate e Kuvendit në një mbledhje speciale të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit, duhet të ishin trajtuar sipas parashikimeve të parashikuara në rregulloren e kuvendit:

a) fyerja dhe ofendimet e kryeministrit ndaj ish-presidentit e deputetit Berisha; çuditërisht për herë të parë, ambasadorja e SHBA në Tiranë heshti për ofendimet e kryeministrit, por edhe për mos-ndëshkimin nga Kuvendi të dhunimit nga kryeministri të rregullores së kuvendit duke ofenduar e fyer ish-presidentin apo deputetin SB. Në realitet do të cilësohej e gabuar nëse ambasadorja do të ndërhynte për të dhënë mendim për “ofendimin  e Ramës ndaj Berishës” sepse ai veprim i saj do të cilësohej edhe në këtë rast si ndërhyrje në punët e brendshme të Kuvendit; pra pavarësisht se ajo s’bëri atë që bën gjithnjë, për mendimin tim ajo bëri shumë mirë që s’reagoi por në fakt shqiptarët s’janë as naivë dhe as budallenj të mos e kuptojnë përse ambasadorja e SHBA heshti ndaj “ofendimeve dhe fyerjeve” që kryeministri lëshoi në drejtim të ish-presidentit, kjo duket i pëlqeu?!

b) dhunimi i rregullores e ndoshta deri edhe diversioni i kryetares së Kuvendit (ajo si e paanshme s’duhet të lejojë asnjë dhunim të rregullores së Kuvendit dhe në asnjë rast të mos bëhet pjesë e diversionit politik ndaj opozitës). Edhe për këtë veprim, për herë të parë, ambasadorja e SHBA në Tiranë heshti dhe për mendimin tim bëri shumë mirë që heshti ndonëse në realitet heshtja e saj duket se lidhet me vlerësimin si të drejtë të veprimeve të kryetares së kuvendit, veçanërisht kundër ish-presidentit të vendit dhe deputetit SB?!

c) minimalisht duhet të ishte ndëshkuar moralisht naiviteti (për të mos i vendosur cilësorin adekuat veprimit të deputetit demokrat) i Alibeaj që pranoi, në dhunim të rregullores së kuvendit, diversionin e dyshes Nikolla-Rama, duke marrë fjalën që s’i takonte, aq më tepër përpara një kolegu të tij si SB që jo vetëm kishte të gjithë të drejtën në anën e tij për të reaguar para tij ndaj ofendimeve e fyerjeve të kryeministrit, me moshë shumë më të madhe se ai, ndërkohë që e kishte pasur edhe drejtues të partisë së tij, kishte qenë anëtar i qeverisë së drejtuar prej tij dhe s’duhet të harronte në asnjë rast se “kjo lojë diversioni” po drejtohej kundër ish-presidentit të vendit me synimin e qartë për të përçarë e dobësuar opozitën ku ai bënte pjesë vetë... Çuditërisht, këtë herë ambasadorja ndërhyri duke u shprehur me terma të çuditshëm kundër veprimit të ish-presidentit apo deputetit SB për të marrë fjalën që i takonte dhe në respekt te kërkesave të rregullores ndaj ofendimeve të kryeministrit?! Kjo ishte një ndërhyrje në cenim të dinjitetit dhe sovranitetit të kuvendit! Të gjithë shqiptarët e ndershëm e të mençur kuptuan shumë mirë arsyen e kësaj ndërhyrje të çuditshme! 

4. Por më e çuditshmja në të gjithë këtë histori ka të bëjë me faktin që Edi Rama, ofenduesi i “madh” që duhet të ishte ndëshkuar rëndë nga Kuvendi, por edhe ambasadorja e SHBA në Tiranë në rezonancë me Ramën vazhduan edhe pas seancës të stigmatizojnë si jo demokratik qëndrimin korrekt e dinjitoz, të guximshëm e në përputhje të plotë me rregulloren e Kuvendit të ish-presidentit të vendit apo deputetit SB, duke shfaqur atë që e dinë të gjithë shqiptarët… Këto veprime kanë nxitur antipati ekstreme te një numër i konsiderueshëm shqiptarësh që s’janë mbështetës të ish-presidentit të vendit apo deputetit SB, por kërkojnë që Rama të ruajë etikën në Kuvend dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë të respektojë dinjitetin e shqiptarëve të ndershëm dhe të mos cenojë sovranitetin e vendit më pro-amerikan në Evropë... Kam përshtypjen që edhe shumë diplomatë në Tiranë janë habitur jo vetëm nga ndërhyrja e ambasadores, por edhe nga qëndrimet e gabuara të Ramës dhe qëndrimet jo adekuate të Alibeajt!

* Kastriot Islami ka qenë kryetar i Kuvendit të parë pluralist