Si po i eliminon Ukraina gjeneralët rusë me ndihmën e SHBA

Nga Inga Frenser, BILD

Informacionet e mbledhura nga inteligjenca amerikane duket se kanë kontribuar në vrasjen e disa gjeneralëve rusë në Ukrainë.

Siç raporton ‘New York Times’, duke iu referuar burimeve të inteligjencës, SHBA kanë qenë në gjendje të lokalizojnë ‘shtabin e lëvizshëm të ushtrisë ruse’ dhe të ndajnë këto informacione me forcat e armatosura të Ukrainës. Prandaj ukrainasit ishin në gjendje që të sulmojnë postet e komandimit me artileri.

E thënë më thjeshtë: SHBA ka furnizuar Ukrainën me informacione në lidhje me lëvizjet e shtabeve ruse, ushtria ukrainase e ka plotësuar këtë me rezultatet e zbulimit të tyre. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby e pranoi gjerëssiht se SHBA po i jep Ukrainës informacionet ‘që ajo ka nevojë për të mbrojtur veten’. Megjithatë, askush nuk jep detaje.

Ushtria ukrainase pretendon se ka vrarë 12 gjeneralë rusë përmes ‘zjarrit të synuar’ që prej fillimit të luftës asgjësuese të Putinit.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA theksoi se shqetësimi kryesor i SHBA në sigurimin e informacionit të inteligjencës nuk është vrasja e gjeneralëve rusë.

“Qeveria po ofron informacione në fushën e betejës për të ndihmuar ukrainasit që të mbrojnë vendin e tyre,” tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit, Adrienne Watson.

Sipas gazetës ‘New York Times’, shumë nga dhjetëra komandantë rusë janë vrarë apo kapur peng prej forcave ukrainase falë informacionit nga SHBA.

Vdekja e gjeneralëve u konfirmua pjesërisht edhe nga pala ruse. Për shembull, në fillim të marsit u pranua se gjenerali Andrei Sukhovetesky kishte vdekur heroikisht në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë konfirmuar raportet ukrainase se shefi i shtabit rus, Valery Geramisov u plagos gjat ënjë shpërthim në Ukrainën lindore javën e kaluar.

Megjithatë, Ministria e Mbrojtjes tha të hënën se Gerasimov kishte kaluar disa ditë në vijën e frontit në Ukrainën lindore.