Balla 'pranon' kërkesën e Alibeajt: Më 16 maj votimi i parë për presidentin

Kimia mes Taulant Ballës dhe Enkelejd Alibeajt, i përzgjedhur nga PS për zgjedhjen e presidentit të ri, vazhdoi edhe në Konferencën e Kryetarëve.

Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla është dakordësuar me kërkesën e Enkelejd Alibeajt, që procesi për nisjen e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit të nisë me datën 10 maj.

Balla tha se raundi i parë për zgjedhjen e presidentit të mbahet në datën 16 maj.

“Bie dakord me propozimin e Alibeajt, por mbledhja të konsiderohet vijuese. Pra data 16 të jetë raundi i parë i zhvillimit të procesit të votimit. Ndërsa data 10 të jetë data e nisjes së procesit," tha Balla. 

Ai theksoi se në datë 15 maj deri në orën 16:00 në Kuvendin e Shqipërisë do të dorëzohen emrat e propozuar si kandidatë për presidentë. Secili prej tyre duhet të ketë jo më pak se 20 firma, ndërkohë që asnjë deputet nuk mund të firmosë më shumë se një emër.

Kurse deputetja Grida Duma tha se duhet që opozita të bëjë propozimet e para.