Rënia pikiatë në lirinë e medias/ Tërbohet Rama: Janë gënjeshtra!

Kryeministri Edi Rama reagoi me një postim në median sociale në lidhje me raportin e organizatës Gazetarët pa Kufij, ku Shqipëria ka shënuar një rënie pikiatë.

Duke vlerësuar si tepër serioze gjenden e situatës ekonomike dhe politike të medias në Shqipëri, organizata ndërkombëtare Gazetarët pa Kufij renditi Shqipërinë në vend të 103 në botë sa i përket lirisë së medias, një përkeqësim me 20 vende në krahasim me vitin paraardhës.

Ashtu siç ka ndodhur edhe me raportet e tjera që tregojnë rënien e demokracisë në vend, Rama tha se këto janë gënjeshtra.

“E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj!

Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre! Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike? Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare? Çfarë talljeje! Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s'dimë ç'të bëjmë me lirinë!

Në Shqipëri s'ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve,gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s'ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s'ekziston!” shkruan Rama.