Ilir Meta preferon veterinerët, në vend të votimit të ministrave të Ramës

Duket se ka qenë një mesazh për Edi Ramën lëvizja që ka bërë sot Ilir Meta, duke shmangur pa ndonjë arsye madhore drejtimin dhe pjesëmarrjen në seancën e sotme parlamentare.

Pavarësisht se disa deputetë të LSI-së i votuan të katërt ministrat e rinj të Ramës, përfshirë edhe Fatmir Xhafaj, vota e Ilir Metës mungoi.

Menjëherë pas votimit të katër ministrave në parlament, zyra e shtypit e Kuvendit shpërndau me urgjencë njoftimin se Ilir Meta kishte qenë sot në një takim me veterinerët, së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Edmond Panaritin.  

Tema e diskutimit me profesorë të veterinarisë kishte qenë “Mjeku veterinar shqiptar dhe sfidat për të ardhmen”, ku Ilir Meta kishte folur për shkencën e veterinarisë, arritjet e Panaritit si ministër, lopët e shpërndara për fermerët etj.

Të gjitha këto problematike në këto momente, duken më të rëndësishme për Ilir Metën, sesa arnimet e qeverisë Rama.