Konservatorizmi e kapitalizmi patriotik, rruga e vetme për PD-në dhe Shqipërinë

Socializëm ose liri ishte alternativa fituese e kandidates konservatore për komunitetin e Madridit para një viti. Ky është udhëkryqi në të cilin gjenden popujt e botës sot dhe shqiptarët prej shumë kohësh. Korrupsioni, varfëria, shpopullimi janë pasojë e politikave agresive socialiste.

E majta në përgjithësi i do aq shume të varfrit sa shton numrin e tyre sa herë është në pushtet, kudo në botë. E majta kërkon me ngulm që individi të zhduket si koncept dhe masat të jenë tërësisht të varura nga burokracia shtetërore gjithmonë e në zgjerim, e kudondodhur dhe që vendos për çdo aspekt të jetës së qytetarit. E djathta nga ana tjetër, lufton për dinjitetin, forcimin e individit, pronën, familjen, traditën dhe lirinë.

Fatkeqësisht, liria është një koncept që nuk ka mundur të zërë rrënjë plotësisht te ne. Komunizmi për gati pesëdhjetë vite goditi vetë qenien njerëzore dhe kjo kërkon kohë të shërohet.

Shqiperia për dekada shkoi drejt jo natyrores, drejt përdhosjes se atyre elementeve qe janë njerëzorë, që lindin me njeriun. Komunizmi u përpoq te krijonte njeriun e ri, mekanik, pa mendim dhe personalitet, në shërbim të një shteti gjigant burokratik dhe kriminal, duke dehumanizuar individin dhe duke këputur fillin shekullor me atë çka ne ishim si popull. Individi nuk ishte më në funksion të vetes, të familjes, të pronës së tij. Ai nuk e gjente më frymëzimin apo mësimin te e kaluara, te tradita apo atdheu dhe ndaj nuk kishte se si ai t’i mbronte ato përballë sulmit të egër të makinerisë komuniste.

I njëjti fenomen ndodh dhe sot. Duke lejuar shkatërrimin e simboleve te historisë dhe kulturës së vendit, duke braktisur pronën si e drejtë themelore individuale, ne si shoqëri jemi duke shkëputur lidhjet me Shqipërinë si atdhe, si kulturë, si histori. Por, një vend që heq dorë nga këto elementë nuk mund të ketë të ardhme.

Sfida e një force konservatore qëndron pikërisht këtu. Frymëzimi i njerëzve për të qëndruar këtu, për të luftuar për lirinë e fjalës, të mendimit e atë ekonomike, komunitetin ku ata janë lindur e rritur, për familjen, për pronën e tyre dhe për mundësinë e një jetese më të mirë pikërisht në vendin me të cilin ata kanë një lidhje emocionale, përpara se kjo lidhje të shkatërrohet plotësisht. Vetëm një njeri që  beson vërtet në shenjtërinë e pronës, dinjitetin njerëzor, interesin kombëtar, interesin ekonomik të familjes, mund të luftojë për to. Partia Demokratike duhet të fitojë besimin për të qenë garantë e këtyre elementëve.

Si fitohet ky besim? Duke parë që te kjo forcë politike ka meritokraci, ka debat, ka garë, ka mendime të ndryshme që konkurrojnë zëshëm me njëra tjetrën dhe mbi të gjitha nuk ka arrogancë. Duke krijuar një PD të vlerave e parimeve, me institucione të brendshme që vërtet janë vendimmarrëse. Me një PD që kupton në thelb se çfarë është e djathta. Me një PD që vërtet dëgjon dhe nuk tradhton kontratën e vlerave me ata që e mbështesin.

I vetmi koncept qe përmbledh tërë këto elementë dhe që përfshin në të tërë çka është njerëzore, është konservatorizmi. Konservatorizmi nuk është ideologji e as rikthim i të vjetrës, por një bashkim vlerash, parimesh, idesh, sjelljesh, ndjenjash qe lindin me njeriun. Ne trashëgojmë shtëpinë në të cilën lindim, familjen, komunitetin, qytetin dhe vendin e të parëve tanë. Në çast, dhe krejt instinktivisht, ne lidhemi me këto vende dhe njerëz dhe natyrshëm na lind një ndjenjë e një instinkt bazik dashurie, përkushtimi dhe mbrojtje.

Ne bëhemi trashëgimtarë të traditave dhe kulturës, historisë dhe veprave, për mirë apo për keq. Secili prej nesh ka lindur në një mjedis dhe në një status të caktuar social dhe ekonomik. Është detyra jonë t'ua lëmë pasardhësve tanë këtë trashëgimi të shumë-anshme në një formë më të mirë se sa ishte kur e morëm.

Një konservator është një individ që e kupton këtë marrëdhënie tejet të natyrshme midis të shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes dhe gjen mënyrat dhe mjetet praktike për ta mbrojtur dhe forcuar atë.

Që kjo të ndodhë, nevojitet arritja e një shkalle të lartë të lirisë ekonomike për individin dhe familjen shqiptare. Duhet një bashkim i vlerave konservatore me sistemin kapitalist të tregut të lirë e të drejtë, me politika që zvogëlojnë borxhin publik dhe shpenzimet qeveritare, ulin taksat, heqin rregulla dhe ligje që pengojnë çlirimin e potencialit ekonomik të çdo individi.

Nevojitet, pra, një kapitalizëm patriotik. Konservatorizmi funksionon kur liria e individit, familja, tradita, edukimi dhe prona janë qëllimi qendror dhe final i një shoqërie politike dhe ekonomia e tregut vihet në funksion të tyre. Socializmi vetëm i subvencionon problemet, nuk i eliminon dot ato. Sa më i madh shteti, aq më e lartë mundësia për korrupsion. Ndërsa, një kapitalizëm i rrënjosur në vlerat konservatore është receta e zhvillimit ekonomik, kulturor e shoqëror të një vendi. Historia shërben si provë për këtë.

Kapitalizmi ofron mundësinë për të gjithë për zgjedhjen dhe kryerjen e një edukimi të fortë, patriotik, pasi individët e arsimuar, me mjetet dhe mundësitë e nevojshme ekonomike, krijojnë familje më të forta, të cilat padyshim çojnë në shoqëri më të shëndetshme dhe më të durueshme, në institucione më të forta, që kërkojnë më shumë angazhim në fatet e vendit dhe në interesin kombëtar nga ana e qytetarit.

Që kjo të ndodhë, ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht mentalitetin dhe modelin tonë ekonomik, nga konsumator në prodhues, të shndërrohemi nga spektatorë në pjesëmarrës, duke kufizuar pushtetin dhe ndikimin e qeverive dhe duke decentralizuar vendimmarrjen si brenda partive dhe në qeverinë qendrore. Një vend që prodhon, që investon dhe punëson nëpërmjet tregut të lirë bëhet më pak i varur ndaj krizave të jashtme, ka më tepër mundësi kursimi, dhe rrit mirëqenien dhe fuqinë e individit dhe familjes përballë burokracisë dhe klientelizmit qeveritar.

Presidenti Reagan, thoshte shpesh "Programi më i mirë i mirëqenies është një vend punë". Puna është ajo që u kthen dinjitetin njerëzve, jo ndihmat qeveritare apo subvencionet. Vetëm një individ me ndjenjën e dinjitetit të tij dhe me mundësitë ekonomike do të luftojë më pas për familjen, traditën, sovranitetin dhe vendin e vet.

Zoti Gorbachev, rrëzojeni këtë mur, ishte thirrja historike e Presidentit Reagan. Konservatorët shqiptarë, tre dekada më vonë, duhet të rrëzojnë murin e komunizmit, shtetit të madh burokratik e autoritar që mendon se duhet të futë hundët në çdo aspekt të jetës, murin e korrupsionit, dhe klientelizmit qeveritar, për të shpëtuar dinjitetin e individit, familjes dhe tokës shqiptare.

Partia Demokratike duhet të prodhojë një vizion të tillë pozitiv e të qartë për të ardhmen e vendit, që bashkon të gjithë nuancat e të djathtës tradicionale shqiptare, duke formuar një të djathtë të bashkuar jo vetëm me emra individësh, por me pronarët legjitim, të persekutuarit, anti-komunistët, shtresën e mesme, sipërmarrësit, trashëgimtarët e Ballit dhe monarkistët, libertarianët dhe konservatorët socialë.

Një e djathtë e fortë, që nuk ka frikë, krenare për vlerat e përbashkëta dhe që nuk merr leje te e majta se si duhet të jetë. Vetëm bashkimi rreth vlerave dhe parimeve dhe një vizion shpresëndjellës kapitalist e konservator krijon jo thjesht një shumicë demokrate, por një shumicë shqiptare, sjell të djathtën në pushtet dhe krijon Shqipërinë Europiane. Vetëm kështu shkohet drejt një Shqipërie që nuk përkulet dhe ulet si e barabartë e me kokën lartë në familjen e kombeve evropiane. Duhet veç vullnet politik.

Kuvendi i Partisë Demokratike tregoi se elementët janë aty për të krijuar këtë frymë. Fjalimi i Doktor Berishës, Arben Imamit, Evi Kokalarit, fushata e vitit të kaluar e Edith Harxhit, prania në Kuvend e konservatorëve nga Britania dhe Suedia, mesazhi i kryeredaktorit të revistës Konservatori Evropian, Alvino Mario Fantini, si dhe ndërhyrja e kryetares se Partive Konservatore Evropiane, Giorgia Meloni tregojnë që mbështetja drejt rrugës së konservatorizmit është si brenda dhe jashtë vendit, por kjo është veç hedhja e bazamentit për të shkuar aty ku demokratët meritojnë që PD të jetë.

Rruga mbetet ende e gjatë që në radhë të parë vetë elita drejtuese e Partisë Demokratike të kuptojë e zbatojë parimet e konservatorizmit. Nëse je vërtet konservator e mbështetës i tregut të lire dallohet mjaft lehtë dhe të djathtët kanë një nuhatje të jashtëzakonshme politike. Nëse demokratët duan që Partia e tyre të vijë në pushtet, duhet që me presionin që vetëm baza di të bëjë dhe me fuqinë e votës të zgjedhin figurat vërtet të djathta në çdo qelizë të partisë.

Sytë e një kombi janë edhe një herë mbi Partinë Demokratike. Zhgënjimi i demokratëve për të disatën herë do të ishte fatal për PD-në, pasi një mundësi tjetër me gjasë nuk do t’i jepej më. Natyrisht, suksesi i të djathtës shqiptare do jetë dhe suksesi i Shqipërisë.

*Nikola Kedhi është një Konsulent Financiar në Deloitte dhe kontributor në media të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Mbretërinë e Bashkuar.