Gjendet i vdekur në një dhomë hoteli aktori i njohur që ka luajtur mbi 220 filma

Kenneth Tsang, aktori që është shfaqur në më shumë se 220 filma dhe ka luajtur në një prej filmave të James Bond, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Ylli nga Hong Kongu ka luajtur në filma të shumtë duke përfshirë “Rush Hour 2” dhe “Die Another Day” për agjentin 007.

Tsang është gjetur i vdekur të mërkurën në një dhomë hoteli të Kowloon të Hong Kongut, ku ishte në karantinë.

Pasi askush nga dhoma e tij nuk u përgjigj, stafi i hotelit hapi derën dhe gjeti aktorin të shtrirë në dysheme pranë shtratit.

Ai u konstatua i vdekur në vend, ndërsa pritet autopsia për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij. Tsang kishte marrë tri doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje serioze, kanë thënë burimet.

Aktori u vendos në karantinë hoteli si pasagjer, pasi kishte shkuar jashtë vendit, megjithëse kishte rezultuar negativ.

Gjatë karrierës 65-vjeçare, Tsang është shfaqur në më shumë se 220 filma, shumë shfaqje televizive dhe shpesh është paraqitur në reklama të ndryshme.