Meta: Të rritet paga minimale, të garantohen të drejtat që sigurojnë mirëqënie

Presidenti Ilir Meta është përpjekur të tërheqë vëmendjen e qeverisë sot në ditën ndërkombëtare të punëtorëve, 1 Majit, duke kërkuar që kjo ditë të shërbejë si moment reflektimi,  që punës jo të mirëpaguar e pa kontratë t’i jepet fund. Kreu i shtetit ka theksuar se në veçanti shtrohet nevoja për rritjen e pagës minimale dhe garantimin e çdo të drejte që siguron mirëqenie dhe drejtësi sociale.

“1 Maji nuk mund të jetë thjeshtë një ditë feste, por një moment reflektimi për të gjitha ditët dhe kushtet e punës në Shqipëri, - shkroi Meta në Fb. - Puna jo e mirëpaguar, pa kontratë të rregullt dhe kontribute pensioni, pa sigurim shëndetësor dhe të drejta për pushim me pagesë e zhvesh punëtorin nga dinjiteti dhe e vendos në një marrëdhënie shfrytëzimi. Kjo situatë duhet të marrë fund!

Pasojat e rënda dhe afatgjata të pandemisë dhe luftës në Ukrainë, në veçanti rritja abuzive e çmimeve, e shtrojnë më me forcë këtë domosdoshmëri, në veçanti për rritjen e pagës minimale, garantimin e kushteve në vendin e punës dhe të çdo të drejte që siguron mirëqenie dhe drejtësi sociale. Të dëgjojmë me përulësi zërin e punëtorëve!” nënvizoi në përfundim kreu i shtetit.