Mërgimtarët 'shkundin' Tiranën për 1 Majin: Ndryshoni mentalitet, nuk është ditë feste, por proteste!

“Nuk më dhatë mundësi të jetoj në Atdhe! Më jepni mundësi të kontribuoj për Atdhe!”

Një grup qytetarësh shqiptarë që kanë ardhur nga emigracioni, kanë dalë sot me flamuj dhe pankarta për të protestuar  për të drejta  me rastin e ditës së 1 Majit.

Më shumë sesa protestë, qëllimi i daljes së tyre në sheshin “Skënderbej” dhe marshimi drejt Kryeministrisë, duket se ka qenë që t’i japin një shkundje, mentalitetit shqiptar se 1 Maji është “ditë feste”.

Jo, thanë ata, “kjo datë nuk është datë feste, por proteste. Për 70 vjet populli shqiptar mendoi se dita e 1 Majit është ditë feste. Ky mentalitet duhet të ndryshojë.”

Njeri nga përfaqësuesit e këtij grupi mërgimtarësh që mbante në dorë pankartën e madhe  “Nuk më dhatë mundësi të jetoj në Atdhe! Më jepni mundi të kontribuoj për Atdhe!”, foli për SYRI TV, se çfarë po kërkon sot.

“Në radhë të parë, si mërgimtar që jam dhe që e  ndiej veten shqiptar, në radhë të parë - bashkim. Bashkimi i kombit shqiptar, ngritja e mirëqenies së popullit dhe e drejta e votës, ndryshim i Kodit zgjedhor dhe shumë arsye të tjera ekonomikë që popullin shqiptar e shqetësojnë.

Në këtë drejtim janë shumë njerëz që e dinë të vërtetën, e dinë si po abuzohet me të drejtat e tyre dhe duhet të ngrihen dhe të dalin në revoltë dhe në protestë.

Prandaj dje ne jemi mbledhur sot këtu që data 1 Maj që ka ngelur si tabu e një feste e punëtorëve e popullit, kjo datë nuk është datë feste por proteste. Për 70 vjet populli shqiptar mendoi se dita e 1 Majit është ditë feste. Kjo duhet të ndryshojë. Në gjithë këtë mentalitet, jo vetëm kjo datë, por shumë gjëra të tjera në mentalitetin e kombit shqiptar duhet të ndryshohet.

Ne kërkojmë edhe të drejtën e votës. Përderisa jemi shqiptarë, duhet të kemi të drejtën e votës dhe sistemi zgjedhor dhe mënyra e votimit duhet të jetë më e pastër dhe të mos abuzohet me atë. Në qoftë se njeriu e ka humbur të drejtën e votës, ka humbur çdo gjë”.