Blindohet Lituania: Forcon mbrojtjen e kufirit të NATO-s në Balltik

Aleanca e Natos dërgoi në fillim të vitit trupa shtesë në Baltik për të siguruar ish-shtetet sovjetike përballë fuqizimit të Rusisë, e cila e cilësoi dislokimin si kërcënim. Lituania ka në plan të ndërtojë një gardh kufitar përgjatë enklavës ruse të Kaliningradit, ku rusët shprehin pikëpamje të ndryshme rreth pozitës së tyre, të rrethuar nga vendet anëtare të Natos, Lituania dhe Polonia.

Një grup luftarak i Natos në Lituani, i drejtuar nga Gjermania organizoi manovrat për personalitete evropiane që vizituan vendin. Pas aneksimit rus të Krimesë, Natoja ra dakord të dërgojë trupa në Lituani dhe në Estoni, Letoni dhe Poloni në një lëvizje për të penguar një agression të mundshëm rus.

“Jemi nga Norvegjia, Belgjika dhe Holanda. Të gjithë përfunduam një stërvitje shumë intensive. Jemi të përgatitur për të mbrojtur Lituaninë”, thotë kolonel Christof Huber.

Rusia e cilësoi dislokimin si një kërcënim të sigurisë dhe ka në plan të zhvillojë një manovër të madhe ushtarake në shtator në Bjellorusinë fqinje.

Manovrat ushtarake të Rusisë dhe shtimi i ndërhyrjeve në hapësirën ajrore të Natos ngrenë shqetësime mes vendeve baltike, që mbështeten tek forca e Natos për mbrojtje.

“Ne po mbrojmë hapësirën ajrore të Natos, kufijtë e Natos. Dhe nuk është e nevojshme vetëm për rusët por për çdo avion që nuk respekton rregullat që kemi për hapësirën ajrore”, thotë komandanti i forcës ajrore të Hollandës për mbrojtjen e hapësirës ajrore të Balltikut.

Kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump që anëtarët e Natos të paguajnë më shumë për mbrojtjen e tyre është mirëpritur nga shtetet baltike por ka shqetësim se prirja e zotit Trump për marrëdhënie më të mira SHBA-Rusi nuk është në interesin e tyre.