Longo fajëson lojtarët për humbjen: Bënë gabime foshnjarake, nuk i kam afruar unë këta

Diego Longo, trajneri i Kukësit, pas humbjes me katër gola kundër Teutës u shfaq mjaft i revoltuar për humbjen dhe paraqitjen e ekipit.

“Nuk është e drejtë të flas për 7 mungesat, sidomos për ata, por edhe për ata që luajtën sot. Është normale të humbasësh ndaj një ekipi me eksperiencë, që vjet fituan titullin, nëse bën kaq shumë gabime foshnjarake. Humbëm disa raste. Punojmë prej 9 muajsh, por pësuam në atë mënyrë golin e Dacit.

Kjo ndodh kur ka probleme me menaxhimin e presionit, pasi ka shumë presion që vjen nga mbrapa, por nuk do flas tani për ta. Kështu ndodh kur nuk ka kualitet. Kam kërkuar qetësi prej ditës së parë që erdha këtu, por askush nuk më ka dëgjuar. Kemi luajtur në mënyrë fantastike në dy fazat e para, sepse luanim pa presion”, tha Longo në “Gol pas Goli”.

“Nuk i kam afruar unë këta lojtarë, i ka ofruar klubi. Të gjithë gabojmë, jemi njerëzorë, por nuk mund të marr përsipër përgjegjësi që nuk i kam. Unë punoj për të mirën e klubit”.

“Nuk mund të them që ata që erdhën në merkaton e janarit nuk janë në nivelin e lojtarëve, por kur ka shumë gjëra këto janë rezultate që ndodhin. Musta, Gligorov dhe Pëllumbi për shembull e ndihmojnë shumë skuadrën”, u shpreh trajneri i Kukësit.