Pro turizmit në Shqipëri, Meta çel në presidencë, Festivalin Kombëtar të Kulinarisë

“Prodho shqip! Bli shqip! Konsumo shqip! Pusho shqip në Shqipëri!”- Me të tillë mesazh e ka hapur sot në Presidencë, kreu i shtetit Ilir Meta, Festivalin Kombëtar të Kulinarisë.  

“Krenar të çelnim sot në Institucionin e Presidentit, Festivalin Kombëtar të Kulinarisë, Bujtinave dhe Prodhuesve Vendorë, për të promovuar jo vetëm arritjet e të gjithë aktorëve lokalë të turizmit në Shqipëri, por edhe dashurinë për natyrën, etnografinë, traditën, kulturën dhe kulinarinë shqiptare, - shkroi Presidenti në Fb.

“Nuk mund të kishte ditë më të bukur për të uruar një sezon turistik cilësor gjithëvjetor dhe të suksesshëm, konkurrues dhe me standarde europiane, për të mirën e Shqipërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë familjare dhe kombëtare”, vërejti Meta.

“Të mbështetim gjithmonë e më shumë turizmin dhe të forcojmë lidhjen me zonat tona, për të rikthyer shpresën dhe ndalur shpopullimin e dhembshëm të trevave me pasuri të jashtëzakonshme natyrore”, theksoi ai.