Guterres gati për të negociuar paqen? Takon Erdogan para Putin

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres do të vizitojë Turqinë përpara se të shkojë në Moskë dhe Kiev, në një përpjekje të intensifikuar diplomatike për gjetjen e një zgjidhje për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

Sipas një deklarate të OKB, Guterres do të vizitojë Ankaranë të hënën, ku do të takohet me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Më pas, të martën ai do të shkojë në Moskë, ku do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin dhe do të jetë i pranishëm në një drekë pune me ministrin e Jashtëm Sergei Lavrov.

Ndalesa e tij e fundit më pas do të jetë në Kiev të enjten, ku do të takohet me liderin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba.

Por vendimi i Guterres për të vizituar Rusinë përpara Ukrainës është kritikuar nga Zelensky.

 ‘Lufta është në Ukrainë, nuk ka trupa në rrugët e Moskës. Do të ishte logjike të shkonim së pari në Ukrainë, të shihnim njerëzit atje, pasojat e okupimit,’ tha ai.