Ndeshjet e sotme në Europë: Bayern sfidon Dortmund, Ronaldo si titullar ndaj Arsenal, Inter kërkon kreun

Klubet europiane zbresin sot në fushë, teksa do të zhvillohen disa duele spektakolare.

Në Bundesliga do të luhet ndeshja mes Bayern Munich dhe Borusia Dortmund, e vlefshme për javën 31-të.

Edhe pse janë më një këmbë tek titulli kampion, bavarezët do të jenë mjaft të motivuar për këtë takim, duke parë rivalitetin që kanë ndër vite me skuadrën e Dortmund.

Një tjetër sfidë e rëndësishme, është ajo mes Arsenal dhe Manchester United, e vlefshme për javën e 34-rt në Premier League.

Të dyja skuadrat luftojnë për një vend në Champions League dhe fitorja në ndeshje e sotme, që nis në orën 13:30 do t’u bënte shumë punë.

Bie në sy në formacionet zyrtare, prezenca e Cristiano Ronaldo-s, i cili e nis si titullar ndeshjen ndaj “Topçinjëve”. Kujtojmë që sulmuesi portugez pak ditë më parë humbi një prej binjakëve të porsalindur. Një javë e trishtë për CR7-tën, që pak nga pak do të përpiqet të kalojë këtë situatë.

Sfida më e rëndësishme e ditës së sotme në Itali është ajo mes Interit dhe Romës së Marash Kumbullës. Zikaltërit kërkojnë tri pikët në këtë sfidë për të marrë kreun e kampionatit, dhe për të shpresuar tek një gabim i Milanit nesër në mbrëmje.

Ndërsa nga ana tjetër, verdhekuqtë kërkojnë triumfin për t’iu afruar Juventusit të vendit të katërt, që do të thotë një vend në Champions League.