Kurbin, kandidatët bashkarisht largojnë ish-komisionerët e PS, Ismaili: I futën me ndihmën e Gaz Bardhit!

Zgjedhjet për kryetarin e PD-së në Kurbin kanë tërhequr një vëmendje sot, pasi vetë kandidatët pjesëmarrës në këtë garë, që janë katër, kanë rënë dakord për të mos lejuar manipulimin e zgjedhjeve nga grupimi i Gaz Bardhit dhe komisionerët e Partisë Socialiste.

Njeri prej këtyre kandidatëve, Islam Ismaili, zbuloi se si gjatë dy viteve të fundit, në listat e anëtarësisë së PD-së në Fushë Kuqe, Milot, Mamurras e më gjerë kishin futur ish-komisionerë socialistë.

Islam Ismaili tha për SYRI TV: “Jam në garë për kryetar të degës së PD-së në Kurbin.  Organizimi që në fillimet nëpër seksione, në nëndegë ka qenë perfekt, është respektuar dinjiteti i secilit demokrat kurbinas dhe nuk kemi asnjë vërejtje. Çdo problem që kemi pasur e kemi zgjidhur me mirëkuptimin e anëtarësisë së Komisionit të Rithemelimit për Kurbinin dhe në respekt të vërtetë ndaj secilit në raport në njeri-tjetrin për të garantuar një proces sa më shembullor. Dhe besoj se kështu po vazhdon, shembullor. Pjesëmarrja na duket shumë e mirë, paraqisja sipas rregullave, asnjë nga kandidatët nuk ia lejon vetes të shantazhojë apo dekurajojë me prezencë, asnjë nuk duhet në përcjelljen e votuesit.

Votuesit duhet të jenë të lirë, s’duhet t’i presë as t’i përcjellë kurrkush; ata duhet të vijnë nga shtëpia e tyre me dinjitetin e tyre, me burrninë e tyre dhe të votojnë për atë që mendon se është më i denjë, te cili kandidat gjen më së shumti vetveten.

Të tërë jemi njësoj, të tërë përfaqësojmë PD, nuk ia lejojmë vetes asnjë veprim që shkon në dëm të anëtarësisë së PD, sepse e vërteta tjetër shumë e hidhur ka qenë dhe është që qoftë në Fushë Kuqe, qoftë në Milot, qoftë në Mamurras, qoftë kudo,segmente të caktuara jo të Partisë Demokratike, por me ndihmën e Gaz Bardhit kanë futur rreth 700-800 ish-komisionerë të Partisë Socialiste në dy vitet e  fundit. Janë futur në listë ata dhe kemi rënë dakord të katër kandidatët që të mos jenë në listë.

Gjatë ditës së sotme  i kam bërë thirrje përfaqësuesit që e ka çuar komisioni I rithemelimit nga Tirana që të mos lejojë kandidatët të qëndrojnë në dhomën e votimit, por që të largohen të gjithë dhe unë jam shumë i kënaqur për mënyrën si po votohet dhe komisioni më duket në lartësinë e duhur. “