Sulmuesi i Sporting akuzon trajnerin se e përjashtoi nga skuadra vetëm sepse po agjëronte

Sulmuesi algjerian Islam Slimani ka ndezur polemikat me postimin në Instagram pasi ka akuzuar trajnerin e Sportingut, Ruben Amorim se e ka përjashtuar nga skuadra vetëm sepse po agjëron Ramazanin.

Qendërsulmuesi me eksperiencë nuk ishte fare në skuadër në gjysmëfinalen e Kupës së Portugalisë kundër Portos dhe në kampionat kundër Tondelës dhe iu desh të mjaftohej vetëm me gjysmë ore lojë në ndeshjen ndaj Benfikës.

Para kësaj situate, Slimani shënoi katër gola në pesë ndeshje dhe dukej se ishte në formë të mirë, teksa Amorim e arsyetoi mungesën e Slimanit si opsion teknik. Megjithatë, ai këmbënguli të theksonte se " ata që stërviten më mirë luajnë dhe grumbullohen."

Reagimi i Slimanit nuk ka vonuar shumë pasi ai i është përgjigjur me shpejtësi në Instagramin e tij personal me një foto dhe një mesazh.

"Pa ushqim dhe ujë, unë gjithmonë jam stërvitur fort për klubin tim. Askush nuk mund të ma ndalojë këtë."

Slimani ka agjëruar që nga 2 prilli dhe që nga ajo kohë futbollisti algjerian ka luajtur vetëm 45 minuta për Sportingun.

Në Evropë ka lënë gjurmë të mëdha duke veshur fanellat e Sportingut, Leicesterit, Fenerbahçes, Monzas dhe Lyonit dhe është golashënuesi më i mirë i kombëtares së tij me 40 gola në 85 paraqitje.