SYRI TV/ 'Po zvarritet hetimi i krimeve zgjedhore, vetëm 2 raste në gjyq dhe u dënuan autorët'

Pjesa dërrmuese e kallëzimeve për krime zgjedhore apo korrupsion për zgjedhjet e 25 Prillit nuk po hetohen, disa çështje janë pushuar e të tjera kanë firuar. Përmes një konference për mediet, drejtuesi  i Organizatës për të Drejtën e Informimit “InfoCip”, Gerti Shella, tha se nga 291 kallëzime ne total, janë regjistruar më pak se gjysma. Ndërkohë, nga 140 paditë e regjistruara, 20% janë pushuar si çështje. Shqetësim mbetet edhe dosja e bujshme e patronazhistëve, e cila pas ping-pongeve në organet e drejtësisë, nuk ka ende asnjë rezultat

Nga SYRI TV

Ndonëse krimet  elektorale shënjuan  zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, çfarë u faktua edhe nga raporti i OSBE/ODIHR, duket se organet e drejtësisë e kanë lënë në hije zbardhjen e tyre.

Pjesa dërrmuese e kallëzimeve për krime zgjedhore apo korrupsion për zgjedhjet e 25 Prillit nuk po hetohen, disa çështje janë pushuar e të tjera kanë firuar rrugës.

Të dhënat zyrtare lidhur me veprat penale për 25 Prillin i dha këtë të premte  Organizata për të Drejtën e Informimit “Infocip” përmes një konference për shtyp.

Drejtuesi Gerti Shella tha se në total për janë depozituar 291 kallëzime penale, 115 në SPAK dhe 176 në prokuroritë e rretheve, por  SPAK dhe prokuroritë e  e tjera kanë regjistruar vetëm 140, më pak se gjysmën e totalit të padive.

Shella u ndal  tek  dosja e bujshme e patronazhistëve, e cila pas ping- pongeve në  organet e drejtësisë, iu kalua në kompetencë prokurorive të zakonshme, por ende sot nuk ka asnjë rezultat.

Nga të gjithë krimet, vetëm 2 raste janë vënë para përgjegjësisë. Ndërkohë, 20%  procedime janë me vendim pushimi. Sipas Shellës edhe më shqetësues është  fakti se palët paditëse nuk e kanë ankimuar  pushimin e çështjes.

Ankimimet për krimet zgjedhore në vend janë bërë, 160 nga subjektet zgjedhore, 90% e të cilave nga PD,18 nga Presidenti i Republikës dhe 18 të tjera nga KQZ.

Megjithatë gjysma e tyre janë pushuar, ndërsa  gjysma tjetër kanë zënë pluhur në sirtarët e prokurorive