Prishtina stoliset me flamuj për të mirëpritur Presidentin e Letonisë

Sot në Kosovë shkon për vizitë zyrtare Presidenti i Letonisë, Egils Levits. Temë e diskutimeve sipas Presidencës letoneze, do të jetë siguria në Evropë. RTK e transmetoi drejtpërdrejt ceremoninë e pritjes dhe konferencën për media të kreut të shtetit letonez, njofton Jeton Musliu.

Ai do të diskutojë me drejtuesit më të lartë të shtetit kosovar.  Disa rrugë të kryeqytetit janë stolisur me flamuj të Kosovës dhe të Letonisë në shenjë mirëseardhje për kreun e shtetit letonez.

Për vizitën e tij, sheshi “Ibrahim Rugova”, që ndodhet para institucioneve si Presidenca, Kuvendi e Qeveria, është bllokuar që në orët e hershme të mëngjesit. Ndërkohë, do të ketë edhe devijime të trafikut në Prishtinë.

Presidenti i Letonisë, vjen në Prishtinë nga Shkupi, ku në  Maqedoninë e Veriut, takoi zyrtarët më të lartë të këtij shteti. Prandaj, edhe rruga nga drejtimi i “Veternikut”, në drejtim të “Rrethi i flamurit”, pastaj nga Menza e Studentëve, drejt Ministrisë së Arsimit dhe deri tek Kuvendi i Kosovës, për pjesmarrësit në trafik, mund të jetë me vonesa në qarkullim.

Me qëllim, qarkullimin e lirë të eskortës dhe sigurinë gjatë itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në intervale të shkurta kohore, të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare.

Agjenda

Presidenti letonez, në orën 11:00 do të mbjellë pemën që simbolizon miqësinë mes dy vendeve kurse në orën  11:40, do të mbajë një konferencë të përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. 

Në orën 12:15, ai do të pritet në takim nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kurse në orën 12:50 do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti.

Takimet e tjera të kreut të shtetit letonz do të jenë me komandantin e KFOR-it si dhe me trupat letoneze që veprojnë në kuadër të KFOR-it.

Vizita e tij është e para në Kosovë, por jo edhe e vetmja e një zyrtari të lartë letonez. Kjo pasi më parë, Prishtinën e kishte vizituar ministri i Mbrojtjes së këtij vendi, Artis Pabriks.