Hipokrizia e standardeve të dyfishta

Prej një kohe të gjatë Yuri Kim po tenton ta shndërrojë politikën shqiptare në eksperiment. Ambasadorja e SHBA shpërfill ligjet e shtetit, vendimet e gjykatave dhe Kushtetutën, duke dalë mbi to. E bën të gjithën këtë për të favorizuar dhe mbështetur klikën në pushtet, ndërsa nga ana tjetër lufton dhe sulmon pa ndalim opozitën, demokratët dhe Partinë Demokratike. Arriti deri aty sa në korrik të vitit të kaluar iu tha demokratëve se do të hani bar. Për këtë deklaratë ende nuk ka kërkuar ndjesë, madje është investuar ta shndërrojë në normalitet, sikur asgjë s’ka ndodhur.

Vetëm një urrejtje patologjike mund të të çojë tek një gjuhë komunikimi e kësaj natyre plot vrer dhe mllef krejt të pashpjegueshëm. Arsyet dhe motivet e të gjithë këtij zelli diabolik ndaj demokratëve dhe shndërrimi në ‘patericë’ e Edi Ramës, i di vetëm zonja ambasadore. Urrejtjen e saj ndaj demokratëve, opozitarëve dhe votës së lirë, nuk ka të dytë që arrin ta kuptojë. 

Standardi i dyfishtë i Yuri Kim është jo vetëm në raportin mazhorancë/opozitë, apo PD-PS, por edhe në debatin brenda PD-së. Edhe këtu, Yuri Kim lufton për ata që janë më pranë Edi Ramës, Lulzim Bashën dhe disa mbështetës së tij, të cilët realisht janë shumë pak, aq sa numërohen me gishtat e njërës dorë. 

Në të kaluarën ambasada amerikane ka refuzuar të përfshihet në çështjet e brendshme shqiptare, sidomos ato politike. 

Kujtojmë që disa vite më parë, ambasada amerikane nuk ka mbajtur qëndrim dhe as ka dënuar dhunën barbare që është ushtruar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë ndaj Edi Palokës dhe Gent Strazimirit nga Armando Prenga e Arben Ndoka. 

Pamjet që shihni i përkasin pikërisht momenteve kur njerëzit e Edi Ramës dhunonin Strazimirin dhe Palokën. 

Ndonëse këto momente mund t’i duken të largëta zonjës ambasadore, po i sjellim në vëmendje incidentin e Edi Ramës me një gazetare televizioni gjatë pandemisë, kur e shtyu atë për shkak se nuk ishte e pajisur me maskë. Reagoi media, reagoi edhe politika, por asnjë fjalë nga Ambasada dhe ambasadorja Yuri Kim. 

Vetëm po supozojmë nëse një gjë të tillë do ta kishte bërë Sali Berisha, sa e zellshme do të ishte Kim në artikulimin e frazave tipike si ato që shqiptoi sot ditën për diell: 'Kjo nuk duhet të ndodhë më'.  

Yuri Kim nuk shënjoi në rrjetet sociale qoftë edhe një gërmë të vetme për shembjen e teatrit kombëtar barbarisht orët e para të mëngjesit të 17 majit 2020. Në mënyrë tinëzare pikërisht vendi ishte nën izolimin e masave anti-COVID dhe lëvizja bëhej me fasha orare.  

Vetëm disa javë më parë u rrafshuan nga fadromat shtëpitë e banorëve te ‘5 maji’, pak km nga rezidenca e ambasadores, por sërish për Yuri Kim kjo ishte një çështje e brendshme që nuk i takonte të ndërhynte. 

Por ama i takon të ndërhyjë në situatën e brendshme të PD si dhe në mbështetjen e hapur ndaj Edi Ramës. 

Nëse sot thua se ishte e tepërt dhe e quan sulm, dhunë, kërcënim që s'duhet të ndodhë më, thjeshtë e vetëm se lideri historik i PD Sali Berisha mori fjalën në Kuvend e nga marrja e kësaj fjale qëndroi 2 minuta në këmbë Enkelejd Alibeaj, ça mund të themi për grushtet dhe shkelmat që janë lëshuar mbi kokat e demokratëve brenda sallës së Kuvendit? Ça mund të themi për shkatërrimin e Teatrit dhe të shtëpive të shqiptarëve? Si mund ta quajmë vrasjen e të riut pse theu orën policore? 

Misioni i ambasadores amerikane në Shqipëri shkon përtej kornizës së saj diplomatike. 

S’do mend të kuptohet se ambasadorja po vepron me kokën e vet. Nuk ka të dytë në vend që të besojë se këto janë direktivat e Uashingtonit! Ndërhyrja në jetën e brendshme të një partie politike nuk është assesi politikë dhe as aksion diplomatik i SHBA-ve. E kundërta është çmenduri të mendohet.

E thënë shkurt dhe përmes një shembulli të thjeshtë; Amerika po mban qëndrim distancues ndaj një konflikti me përmasa dhe impakt në rang global, siç është lufta në Ukrainë nga agresioni rus, e jo më të zbresë deri aty sa të diktojë se kush do të jetë lideri i opozitës në Shqipëri apo kush do flasë në foltoren e Kuvendit. Hipokrizi fund e krye!

Prandaj, nëse flet Yuri Kim, nuk flet SHBA, por është zëri i Edi Ramës që interferon deri te Rruga e Elbasanit.