Blinken i bën thirrje liderit të ri të Jemenit të vendosë paqe

Ministri i Jashtëm i SHBA, Anthony Blinken i bëri thirrje liderit të ri të Jemenit që të arrijë paqen e qëndrueshme, pas më shumë se shtatë vitesh konflikti shkatërrues në atë vend.

Blinken foli me telefon me Rashad al-Alimi, njeriun në krye të këshillit të ri që drejton qeverinë e mbështetur nga Arabia Saudite, që kur ish-presidenti ia dorëzoi pushtetin.

Sekretari amerikan i Shtetit shprehu mbështetjen për armëpushimin dy mujor të arritur me ndërmjetësimin e OKB-së mes qeverisë dhe rebelëve Houthi, të cilët mbështeten nga Irani. 

Armëpushimi përgjithësisht zbatohet nga 2 prilli, data e fillimit të Ramazanit.

Sipas OKB-së, 377,000 njerëz vdiqën në konfliktin në Jemen, dhe 30 milionë njerëz janë në prag të urisë, e cila është një nga krizat më të rënda humanitare në botë.

Blinken theksoi se është e nevojshme të përdoret dinamika e këtyre ngjarjeve të fundit pozitive për të arritur një armëpushim afatgjatë dhe një proces të zgjatur paqeje, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Kreu i diplomacisë amerikane bëri thirrje gjithashtu për përparim në rihapjen e rrugëve në vende të tilla si Taez, qyteti i tretë më i madh në Jemen.

Hapja e qytetit ishte një tjetër element kyç i armëpushimit të negociuar nga i dërguari i posaçëm i OKB-së Hans Grundberg.

Menjëherë pas marrjes së detyrës në shkurt 2021, presidenti amerikan Joe Biden tërhoqi mbështetjen e SHBA për koalicionin e udhëhequr nga Riadi në luftën kundër rebelëve Houthi që kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit. Kështu ai hoqi dorë nga politika e paraardhësit të tij Donald Trump.

Megjithatë, administrata Biden kundërshton gjithashtu sulmet e vazhdueshme të Houthis, veçanërisht ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, aleatët e Uashingtonit.