Rama s'do të ketë marrëdhënie me PD?/ Këlliçi: Lajm i mirë! Kryeministri kopjoi Bashën

Belind Këlliçi, deputet i PD dhe anëtar i Komisionit të Rithemelimit tha se deklarata e Edi Ramës se në Kuvend, s'do të ketë marrëdhënie me PD, është një lajm i mirë. 

Në Çim Peka Live, Këlliçi tha se Rama po bën një proces farsë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, të cilit opozita nuk do t'i bashkohet. 

Ai theksoi se Rama kopjoi Bashën duke propozuar një numër të madh kandidatësh për president, njësoj si ish-kryetari i PD me kandidatët e zgjedhjeve të kaluara. 

"Lajmi i mirë sot është që më në fund ka edhe një prani publik të Ramës që me zotin Berisha të rikthyer aktiv ai nuk mund të ketë marrëdhënie, asnjë marrëdhënie, as okulte dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët. Është tallje kjo që po ndodh me procesin e presidentit, me tre emra që futen në zarf me 172 emaile, me një konsultë që është me konsullatën greke në Korçë. Dhe deri më sot, nëse kam patur përherë përshtypjen që ka qenë zoti Basha që ka kopjuar zotin Rama në të gjithë qasjen politike, sot për herë të parë zoti Rama kopjon zotin Basha, i referohem procesit të propozimit të kandidatëve për deputetë të PD, vitin e kaluar ku u propzuan 1900 kandidatë, ku nuk ngeli njeri në çdo fshat dhe cep të Shqipërisë dhe në fund rezultoi një tallje.

Vendimmarrja e komisionit u hodh poshtë nga Basha dhe nxori nga xhepi deputetët që kishte paramenduar në mendjen e tij. Të bëhesh pjesë e këtij procesi do të thotë të bëhesh pjesë e një procesi farsë. Të futen emrat e kandidatëve në zarf, presidentin në zarf e tha sot kryeministri, e përmendi 132 herë në fjalën e tij. Një president që vjen nga një proces i tillë, me propozime qesharake, deri tani janë 76 kandidatë që janë propozuar nga deputetët e grupit të PS, sipas mediave, dhe 170 emailet që kanë ardhur nga qytetarë, ky është një proces që tenton të heqë vëmendjen nga skandalet, tenton që të fusë opozitën në një lojë që dihet si do të përfundojë se Edi Rama e ka nën mëngë, i ka votat për ta zgjedhur.

Ajo që sot është e qartë është që Edi Rama po tallet me këtë proces, për të vënë aty një person kamikaz politik. E ka shqetësuar e gjithë sjellja e presidentit, e vuri vetë me votat e tij Ilir Metën në 2017. Ka patur një problem, kthimi i më shumë se 60 ligjeve, beteja që kanë patur me njëri-tjetrin dhe tashmë i duhet një noter për të gjithë paligjshmërinë e tij në zyrën e Presidentit për të uzurpuar edhe institucionin e fundit. Nëse PD bëhet pjesë e kësaj maskarade, është pastaj një opozitë farsë, do të jetë një tallje që bëhet me kampin opozitar".   

Emisioni i plotë