Shqipëria lëshon viza turistike për 8 shtete, agjencitë nuk presin fluks

Vera po vjen dhe vëmendja është përqendruar te turizmi. Joshja e të huajve është synimi i parë i qeverisë.

Me këtë angazhim, ajo ka hequr vizat për turistët e gadishullit arabik, Egjiptit, Indisë, Rusisë dhe Tajlandës.

 “Janë klientë potencialë që vazhdojnë turet e tyre në Shqipëri, duke filluar tashmë nga 1 maji në 31 dhjetor të këtij viti”, u shpreh Kumbaro.

Oferta për njerëzit e këtyre vendeve sapo është hapur. Të 8 shtetet kanë një popullsi prej 1,8 mld banorësh, por a do t’i përgjigjen ata thirrjes për të pushuar në vendin tonë?

 “Është një vendim në letër që nuk bën dëm, por nuk mendoj se do të ketë një vëmendje të jashtëzakonshme si vendim”, tha Kliton Gerxhani, nga Shoqata e Tur Operatorëve Turistikë.

Vizat turistike janë lehtësuar edhe për banorët Rusë, edhe pse raportet politike kanë ngrirë, për të dënuar sulmin mbi Ukrainë.

 “Rusët nuk e kanë mendjen për të shkuar në Turqi, që është destinacioni i tyre kryesore, e jo më të mendojnë për Shqipërinë”, tha ai më tej.

Vitin e kaluar në Shqipëri hynë 5.6 mln të huaj. Megjithatë, viti më i mirë në këtë fushë mbetet 2019, me 6.4 mln vizitorë.