Kritikoi luftën në Ukrainë, pronari i kompanisë më të madhe të naftës ruse jep dorëheqje

Vaguit Alekperov , president dhe themelues i kompanisë së madhe ruse të naftës Lukoil, ka dhënë dorëheqjen sot  nga të gjitha pozicionet e tij në kompani, njoftoi kompania.

“Presidenti dhe anëtari i bordit të drejtorëve të Lukoil, V. Alekperov, njoftoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqje”, thuhet në një deklaratë që nuk shpjegon arsyet e kësaj dorëheqjeje.

Njoftimi vjen më pak se dy muaj pasi kompania private u bë kompania më e madhe ruse që kritikoi luftën në Ukrainë në një deklaratë duke bërë thirrje për "ndërprerjen e shpejtë të konfliktit të armatosur" dhe " zgjidhjen në kohën e duhur".

Pavarësisht kësaj, Alekperov u vendos në një listë të zezë të personaliteteve ruse të sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar , një vend me të cilin ai ka lidhje të ngushta, dhe Australia .

Alekperov drejton Lukoil që nga viti 1993 dhe është një nga manjatët më të fuqishëm të naftës në Rusi.

Sipas Forbes , Alekperov, një ish-punëtor i platformës së naftës në Detin Kaspik, është personi i 90-të më i pasur në botë, me pasurinë e tij neto të vlerësuar në 19.3 miliardë dollarë që nga 21 prilli 2022.