VIDEO-SYRI TV/ Publikohet raporti i fundit i Freedom House: Demokracia në Shqipëri pa përparim

Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim sa i përket forcimit të shtetit dhe demokracisë. Në raportin e fundit të Freedom House theksohet se në Shqipëri vijojnë politikat klienteliste dhe korrupsioni i lartë. Në këtë raport janë pasqyruar edhe zgjedhjet lokale, ku nënvizohet blerja e votave apo patronazhistët e Partisë Socialiste që përdorën të dhënat personale të votuesve. 

Nga SYRI TV

Sipas raportit më të fundit të organizatës “Freedom House” për Vendet në Tranzicion, Shqipëria nuk ka pësuar asnjë ndryshim në pikë, krahasuar me një vit më parë, në të shtatë kriteret ku e bazon vlerësimin e saj kjo organizatë. 

Shqipëria vazhdon të përcaktohet në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, ku futen ato vende ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ku ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste.

Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.

Sipas “Freedom House”, media në Shqipëri është pjesërisht e pavarur dhe ofron njëfarë niveli vëzhgimi të kujdesshëm të punës së atyre që kanë poste publike, por shumica e pronarëve të medias, thuhet në raport, i përdorin platformat e tyre mediatike për të lobuar tek qeveria dhe partitë politike.

Në raport vërehet se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht.

Për sa i takon korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. Por raporti vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara, që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në raport thuhet se themelet e demokracisë në Shqipëri u vunë në provë në 2021, viti kur u mbajtën zgjedhjet e dhjeta parlamentare shumëpartiake, që nga rënia e komunizmit.

Në përgjithësi zgjedhjet parlamentare u administruan mirë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte në gjendje të ofronte mjete të reja teknologjike për identifikimin e votuesve në ditën e zgjedhjeve dhe teknologjitë e reja të numërimit u përdorën në qendra të ndryshme votimi. Por megjithatë, sipas raportit, integriteti i zgjedhjeve nuk ishte plotësisht i paprekur, për shkak të pretendimeve të besueshme për blerje votash, frikësim dhe dhunë.

Raporti trajton edhe çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të mijëra qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 2021. Ai përmend publikimin në muajin prill nga faqja e lajme në internet Lapsi.al, të një artikulli ku flitej mbi një bazë të dhënash të ndjeshme personale të 910,000 qytetarëve shqiptarë, që dyshohej se ishin përdorur nga Partia Socialiste, e që ishin marrë nga një portal qeveritar, që ofron shërbime publike (e-Albania).  

“Freedom House” thotë se mbi këtë çështje nuk u nis asnjë hetim, ose mbi mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo trajtojnë të dhënat personale të qytetarëve.

Në raport thuhet se shkeljet në këtë drejtim dhe pasojat tregojnë se Shqipëria nuk i ka marrë ende seriozisht ligjet e saj për mbrojtjen e të dhënave personale.