Pato: Maldini e di që jam gati të kthehem në Milano

Ish-futbollisti brazilian i Milanit, Alexandre Pato nuk do të kishte asgjë kundër rikthimit në radhët e kuqezinjve.

Pato ka kontratë me Orlando Cityn deri në dhjetor të këtij viti, por duket se ëndërron të rikthehet te Milani, me të cilin firmosi në janar 2008 dhe shënoi 63 gola në 150 ndeshje.

Pavarësisht nisjes së mirë, gjërat shkuan drejt greminës, duke bërë që braziliani të largohej nga klubi në vitin 2013 dhe shkoi te Corinthians. Gazetarët e pyetën se çfarë do të ndryshonte këtë herë.

"Unë duhet t’u kisha kërkuar prindërve të mi të qëndronin me mua në Milano. Klubi më dha gjithçka që mundi, unë e dua Milanin, por isha vetëm në momente të vështira. Isha shumë i vogël kur mbërrita, prindërit e mi kaluan pak kohë me mua dhe u kthyen në Brazil. Nëse do të kishin qëndruar me mua, do të kisha pasur më shumë mbështetje”, tha Pato.

Ai shtoi se drejtori sportiv i Milanit, Paolo Maldini e di se dëshiron të kthehet në klub.

“Ndihem mirë te Orlando dhe kam një kontratë, por Maldini e di që jam gati të kthehem. Jam më i pjekur, kam një qëndrim tjetër ndaj futbollit dhe mund të jem i dobishëm për lojtarët e rinj. Më mungon Italia dhe italianët. Gjithmonë i them gruas sime se do ta çoj në Itali dhe atëherë ajo do ta kuptojë se për çfarë po i flas. Milani është i rëndësishëm për mua, më mungon shumë. Do të doja të kthehesha në klub, pasi ka lojtarë më të vjetër se unë në Serinë A”, tha braziliani.

Ai beson se kuqezinjtë mund të arrijnë titullin dhe sonte do të luajnë ndeshjen e dytë të gjysmëfinales së Kupës së Italisë kundër Interit.

Do të jetë një ndeshje e vështirë, Milani nuk duhet të bëjë gabime. Ata mund të fitojnë titullin dhe fitimi i Kupës së Italisë do t'i motivonte më tej. Olivier Giroud është i fortë dhe Rafael Leao duhet të bëjë lëvizjet e duhura. Ndeshja do të jetë e hapur, është gjithmonë kështu kundër Interit. Kam luajtur në një ekip me shumë kampionë, dhe ky Milan po bëhet më i mirë dhe ka një të ardhme të ndritur sepse drejtorët po bëjnë një ekip të mirë”, përfundoi Pato.

Ai fitoi Superkupën e Italisë dhe Serinë A me Milanin.