Forcat ruse marrin nën kontroll qytetin e parë në Ukrainën lindore

Trupat e Kremlinit kanë marrë nën kontroll qytetin lindor të Ukrainës, Kreminna, tha sot guvernatori rajonal.

Guvernatori i Luhansk, Serhiy Gaidai tha në një konferencë se trupat ukrainase tashmë ishin tërhequr nga qyteti.

"Kreminna është nën kontrollin e 'orkëve' (rusëve). Ata kanë hyrë në qytet. Mbrojtësit tanë duhej të tërhiqeshin. Ata janë vendosur në pozicione të reja dhe vazhdojnë të luftojnë kundër ushtrisë ruse" tha Gaidai.

Ai shtoi se forcat ruse kishin sulmuar "nga të gjitha anët".

"Është e pamundur të llogaritet numri i të vdekurve në mesin e popullatës civile. Kemi statistika zyrtare - rreth 200 të vdekur - por në realitet ka shumë më tepër," u shpreh ai, pa e bërë të qartë se çfarë periudhe mbulonte numri i përllogaritur i vdekjeve.

Kreminna, një qytet me më shumë se 18,000 banorë, duket të jetë qyteti i parë i pushtuar në ofensivën e re ruse në Ukrainën lindore.

Moska ka ripozicionuar trupat e saj në lindje për disa javë pasi u tërhoq nga kryeqyteti Kiev.

Ajo ka deklaruar tani se marrja  e Donbasit është qëllimi i saj kryesor, duke pretenduar se dëshiron të "çlirojë" rajonin ku forcat e mbështetura nga Rusia kanë luftuar që nga viti 2014.