Vuçiç: Ukraina dhe një shtet i BE kërcënojnë me bomba avionët e 'Air Serbia'

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka akuzuar Ukrainën dhe një shtet të Bashkimit Europian si përgjegjës për një sërë kërcënimesh të rreme për bomba në avionët e kompanisë 'Air Serbia'.

Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, disa avionë të Air Serbia u detyruan të ktheheshin në Beograd apo Moskë, ndërsa aeroporti i Beogradit është evakuuar të paktën tre herë gjatë kësaj periudhe për shkak të kërcënimeve për bombë që rezultuan të rreme.

“Shërbimet e huaja (të zbulimit) të dy vendeve po e bëjnë këtë. Njëri është një vend i BE-së dhe Ukraina është tjetri,” tha Vuçiç por pa dhënë prova që të mbështesë akuzat e tij.

Në një deklaratë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko i hodhi poshtë komentet e Vuçiçit si “të pabaza” dhe “të pavërteta”.

Ai shtoi se Ukraina ishte e zhgënjyer me refuzimin e Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, raporton Reuters.

“Ne i bëjmë thirrje Beogradit që të ngrihet për të vërtetën dhe të bashkohet plotësisht në mbështetje të Ukrainës dhe në ruajtjen e vlerave mbi të cilat është themeluar Evropa e bashkuar demokratike,” tha ai.