Ndizet sherri/ Ish-ministri gjerman sulmon ambasadorin ukrainas

Nga Luisa Volkhausen, BILD/

Shkëmbim goditjesh mes ish-ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel dhe ambasadorit të Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk: Gabriel e kritikoi ashpër Melnyk, duke e akuzuar atë për përhapjen e teorive konspirative. Melnyk reagoi me një kundërsulm të dhimbshëm!

Në një artikull në Spigel, Gabriel fillimisht mbrojti punën e presidentit të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke hedhur poshtë akuzat nga Ukraina: Steinmeier ka qenë ministër i Jashtëm i ish-kancelares Angela Merkel. “Ai ka bërë më shumë se kushdo tjetër në Europë për të ndihmuar Ukrainën,” shkruan Gabriel në komentin e tij.

Gabriel vazhdon në mënyrë të ashpër më tej: “Nuk dua të pranoj teoritë e konspiracionit për politikën e vendit tonë dhe për ata që janë përgjegjës për të”. Kjo nënkupton deklaratat e ambasadorit të Ukrainës, Melnyk.

Gabriel në mënyrë specifike: “Një variant i teorive konspirative veçanërisht i rrezikshëm është pretendimi i Melnyk se gjatë viteve të tij aktive si politikan, presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kishte krijuar një rrjet merimange kontaktesh me Rusinë për dekada të tëra, çka ka pasur efekt deri në qeverisjen aktuale”. Ky krahasim nënkupton se Steinmeier ka ndihmuar në organizimin e një grupi interesi rus në Gjermani.

“Kjo është e pavërtetë dhe keqdashëse,” shkruan Gabriel.

Një sulm verbal, të cilin Melnyk nuk e la të ikë.

Duke iu drejtuar Gabrielit në Twitter, ai u kundërpërgjigj: “Vitet e politikave miqësore ndaj Putinit, veçanërisht nga ju dhe miqtë tuaj në SPD (Partia Socialdemokrate), kanë qenë dashakeqe. Ato sollën luftën barbare të asgjësimit kundër shtetit ukrainas, kombit ukrainas, kulturës ukrainase dhe kundër grave dhe fëmijëve ukrainas në radhë të parë. Gjërat po dalin në dritë. Turp të keni”.

Vetë Gabriel ka qenë gjithmonë një mbështetës i gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2, siç e tha vetë publikisht në fund të shkurtit. Ai e konsideronte projektin të nevojshëm dhe në interes të Gjermanisë. Në vitin 2017, ai e vlerësoi Rusinë si një furnizues jashtëzakonisht besnik të gazit- dhe foli kundër një ndryshimi në paketën e tregut të brendshëm të energjisë nga BE, e cila do të ndikonte te gazsjellësit rusë.

Një qëndrim për të cilin e fajëson Melnyk!

Të dielën në mëngjes, ambasadori i Ukrainës komentoi postimin e Gabriel në Twitter, duke e akuzuar atë për ‘fshehje të përgjegjësisë personale politike për projektin Nord Stream 2 të Ptinit, të cilin e nisi vetë si zëvendëskancelar në vitin 2015’.

FAKT ËSHTË: Në shkrimin e Gabriel në Spiegel, mes 1600 fjalëve, termi Nord Stream 2 nuk përmendet asnjëherë.