Greqi/ Qëllohet 14 herë drejt makinës së policit dhe gruas së tij

Një oficer policie që shërbente në Departamentin e Sigurisë në Evia, Greqi u bë shënjestër e plumbave nga persona ende të paidentifikuar.

Autori/autorët sulmuan makinën e tij dhe të gruas të cilat ishin parkuar jashtë shtëpisë së tyre në Vasilikia duke i bërë "shoshë" me 14 plumba.

Sulmi ndodhi në orën 02:30 të mëngjesit të së dielës, 18 prill dhe shkaktoi panik te banorët e zonës, të cilët u  trembën kur dëgjuan të shtënat. Megjithatë para se banorët të dilnin në ballkonet e tyre, "personat e armatosur" ishin zhdukur në drejtim të panjohur.

Në vendngjarje mbërritën forcat e sigurisë, të cilët mblodhën provat dhe i dërguan për ekspertizë balistike për të përcaktuar nëse arma nga e cila u qëlluan ishte përdorur në ndonjë rast tjetër.

Në të njëjtën kohë ata po kërkojnë materiale nga kamerat e sigurisë të cilat ndodhen në zonë dhe mund të kenë regjistruar autorët. Gjithashtu është marrë një deklaratë nga punonjësi i policisë i cili ishte shënjestër e sulmit për të zbuluar nëse ka pasur mosmarrëveshje, shkruan protothema.