Putin i ndaloi hyrjen në Rusi, Boris Johnson i bindur: Ai do të dështojë

Kryeministri britanik Boris Johnson ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, konfirmoi Downing Street.

“Kryeministri foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy këtë pasdite. Ai vlerësoi trimërinë e forcave ukrainase që vazhdojnë të mbrojnë me guxim lirinë e vendit të tyre. Presidenti Zelenskyy e informoi kryeministrin për situatën në Mariupol dhe kryeministri përshëndeti rezistencën ukrainase në qytet”, tha një zëdhënës për mediat britanike.

Ata diskutuan nevojën për një zgjidhje afatgjatë të sigurisë për Ukrainën, teksa Johnson tha se do të punojë me aleatët që Ukraina të mbrojë sovranitetin e saj, si dhe u shpreh i sigurt se Vladimir Putin do të dështojë.

“Kryeministri e përditësoi Presidentin Zelenskyy për sanksionet e reja nga Mbretëria e Bashkuar që hynë në fuqi javën e kaluar dhe tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të sigurojë mjetet për Ukrainën për t’u mbrojtur, përfshirë automjetet e blinduara në ditët në vijim”.

Johnson tha se mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën sa vjen e bëhet më e fortë dhe se ai mbetet i bindur se Ukraina do ia dalë dhe Putin do të dështojë”, u shpreh zëdhënësi.

Kujtojmë se Boris Johnson dhe disa ministra u ndaluan të hyjnë në Rusi, për shkak të qëndrimit të tyre në lidhje me luftën në Ukrainë.