Media e BE: Lufta në Ukrainë dhe Ballkani - Kur autokratët hiqen si garantues stabiliteti

Lufta në Ukrainë i nxiti autokratët e Ballkanit Perëndimor të pozicionohen si garantues të stabilitetit dhe për këtë arsye duhet t’u jepet fund iniciativave politike rajonale të presidentit serb Aleksandar Vuçiç, konkluduan ekspertët në një konferencë të mbajtur në Sofje më 11 prill.

Pjesëmarrësit në konferencë, bashkë-organizuar nga eurodeputetit Radan Kanev (EPP) dhe EURACTIV Bulgaria, shprehën shqetësimin se lufta po përdorej për qëllime propagande në avantazh të liderëve më pak se demokratikë.

“Liderët lokalë po e përdorin luftën për të forcuar pushtetin”, tha Kanev, duke shtuar se Vuçiç do ta promovojë edhe më tepër veten si garantues stabiliteti jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në të gjithë gadishullin.

Ai tha se ka ardhur koha që Sofja dhe Athina të marrin drejtimin në nismat rajonale dhe të përshpejtojnë procesin e pranimit në BE të gjashtë vendeve kandidate nga BP.

Kjo është edhe më urgjente, argumentoi Kanev, duke parë rolin e shërbimeve sekrete në politikën serbe dhe atë që ai e quajti lidhje sistematike të tyre me Kremlinin. Eurodeputeti bullgar iu kujtoi pjesëmarrësve se Beogradi asnjëherë nuk pati synime serioze për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve me Maqedoninë e Veriut.

Historikisht, marrëdhëniet komplekse midis Shkupit e Sofjes janë përkeqësuar nga shërbimet sekrete të ish-Jugosllavisë, të cilat gjithmonë i druheshin afrimit të maqedonasve dhe bullgarëve. Kane beson se një politikë e tillë vazhdon ende.

“BE dhe Bullgaria duhet ta kuptojnë që rebusi i Ballkanit Perëndimor nuk do të zgjidhet për sa kohë që rrotullohet rreth Beogradit. Zgjidhja mund të jetë në aksin Sofje-Athinë. Dhe pse jo në Sofje, Athinë, Shkup e Tiranë. Atëherë Ballkani Perëndimor do të bëhej një vend shumë më pozitiv”, tha ai.

Ai shtoi se të ashtuquajturat stabilokraci në Ballkan po konsolidohen duke ndjekur modelin e regjimit të Erdoganit në Turqi, i cili është toleruar prej shumë kohësh nga Perëndimi.

Dimitar Beçev argumentoi se Vuçiç, i cili së fundmi fitoi zgjedhjet në të cilat opozita serbe kishte shumë pak përfaqësim në media, mezi pret që me anë të luftës në Ukrainë të çimentojë pushtetin e tij në vend dhe tashmë ka nisur të shfrytëzojë kujtimet dhe frikën ende të freskëta nga luftërat e viteve ’90, argumentoi Beçev.

Bashkime rajonale
Andrei Vrabçev, një ekspert i sigurisë ndërkombëtare tha se “Ballkani Perëndimor është peng i problemeve të pazgjidhura serbe”. Sipas tij, është e nevojshme të krijohen bashkime rajonale për ta nxjerrë vendimmarrjen jashtë zonës post-jugosllave.

“E imagjinoj një bashkim të tillë (rajonal) midis Bullgarisë e Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë e Malit të Zi. Të gjitha janë anëtare të NATO-s dhe do të jenë bosht stabiliteti në rajon. Të gjitha këto vende janë të lidhura nga Korridori 8 dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor mund t’u bashkohen atyre”, tha Vrabçev, duke shtuar se disa nga anëtarët e vjetër të BE, si Holanda, mund të veprojnë si mentorë në proces.

Lufta si ndryshuese e lojës
Eurodeputeti sllovak Vladimír Bilçik (EPP), raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian dhe anëtar i delegacionit të PE për marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, paralajmëroi se lufta në Ukrainë do të kishte pasoja serioze për BP.

“Rusia është në luftë me Ukrainën, por Rusia është në luftë edhe me Evropën. Kjo është e qartë kur sheh historinë që shoqëron këtë luftë”, tha Bilçik në konferencë.

“Është shumë e rëndësishme që vendet e rajonit të vendosin se me kë janë (me BE dhe Perëndimin apo me Rusinë). Kjo vlen jo vetëm për sot, por edhe për çdo progres që bëhen në zgjerimin e BE”, tha si, duke shtuar se Ukraina po lufton për statusin e saj si vend kandidat.

Si pikënisje ai tregoi zhbllokimin e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat aktualisht janë të bllokuara nga vetoja bullgare ndaj Shkupit. “Kjo është një çështje e rëndësishme për Bullgarinë. Ky nuk është thjesht një hap simbolik, por do t’i japë ritëm të ri procesit të anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

“Do t’i kërkoja gjithsecilit ta shihte strategjikisht zgjerimin, të shohë një tablo më të gjerë, ky proces mund të ndihmojë në zgjidhjen e shumë problemeve nga e kaluara midis Shkupit e Bullgarisë”.

‘Mund të duhen 100 vjet’
Profesor Denko Maleski, ministri i parë i jashtëm i shtetit të pavarur maqedonas pas kolapsit të Jugosllavisë, vuri në dukje se Perëndimi nuk ka vepruar shpejt për zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor.

“Logjika e partnerëve tanë perëndimorë është që, për sa kohë që ata vetë nuk janë të kërcënuar, mund ta marrin shtruar transformimin e shoqërive në demokraci. Nëse do të duhen 100 vjet, ashtu qoftë. Ndërkaq, vendet ballkanike po mësojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre”, tha Maleski.

Ai përmendi se u desh një çerek shekulli për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit midis Athinës dhe Shkupit.

“Problemi u zgjodh vetëm sepse preku interesat e fuqive të mëdha perëndimore, sidomos të SHBA, pas projektimit të kërcënimit rus në Ballkan. Vetëm atëherë Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s”, tha Maleski.

Ai parashikoi se një konfrontim midis Rusisë dhe Perëndimit sjell një erë të rrezikshme për BP.

Edhe Engjëllushe Morina e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë mendon se lufta në Ukrainë ka inspiruar disa nga autokratët e Ballkanit Perëndimor.

“Duhet të jemi të kujdesshëm me autokratët”, tha Morina. Sipas saj, çështjet dypalëshe duhet të ndahen nga çështjet e zgjerimit të BE në rajon, duke cituar mosmarrëveshjen me Sofjes dhe Shkupit.

Ismet Ramadani i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë së Veriut komentoi se vende të tilla si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të ndihen më të sigurta sepse janë anëtare të NATO-s, por të tjerët kanë një problem më të madh.

“Në vende si Bosnjë Hercegovina dhe Kosova, lufta do të ketë efekt më të fortë. Për to, Serbia është një fqinjë më e madhe e më e fortë, dhe Vuçiç nuk e fsheh simpatinë për Rusinë e Putinit”, tha ai.

Shkopi dhe karrota
Igor Novakoviç, drejtor kërkimesh në Qendrën e Çështjeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC Fund), parashikoi se në këtë situatë të ndryshueshme Vuçiç nuk do të donte t’i priste lidhjet me Perëndimin dhe mund të detyrohet të vendosë sanksione mbi Rusinë.

“Serbia ka gjasa të vendosë disa sanksione ndërkohë që përpiqet të bindë Rusinë se nuk është plotësisht kundër saj”.

Ai tha se Vuçiç do të paraqitej si garantues stabiliteti në rajon, duke ndjekur interesat serbe në Bosnjë e Kosovë, por paralajmëroi se Rusia ka shumë mjete për ta tërhequr rajonin në jostabilitet, çka bën që BE duhet të jetë më proaktiv.

“Ne duhet të përdorim një karrotë më të madhe (për Ballkanin Perëndimor) por njëherazi edhe shkopin për ata liderë që luajnë me stabilitetin në rajon”, tha Novakoviç.