Rusia sulmon fabrikën e raketave që shkatërruan luftanijen 'Moskva'

Një fabrikë armësh në Kiev, e shkatërruar nga raketat ruse të lëshuara nga ajri me rreze të gjatë, dyshohet se prodhoi të paktën një nga raketat e përdorura për fundosjen e anijes luftarake 'Moskva' në Detin e Zi.

Sulmi i së premtes u konsiderua gjerësisht nga të dyja palët si sulmi më i rëndësishëm hakmarrës nga Kremlini pas fundosjes së anijes ruse dhe një kujtesë se, pavarësisht se u çlirua nga pushtuesit, lufta në kryeqytetin ukrainas nuk është larg.

Sipas prodhuesit shtetëror të armëve të Ukrainës, fabrika 'Vizar', e vendosur pranë aeroportit ndërkombëtar të Kievit, prodhoi raketa Neptun, të paktën njëra prej të cilave Ukraina thotë se ishte përdorur për fundosjen e 'Moskvës'.

Sulmet e së premtes u pasuan nga shpërthime të tjera mëngjesin e të shtunës, ku një fabrikë e pajisjeve ushtarake në lagjen Darnytsky të kryeqytetit u bombardua nga forcat ruse.

 “Ata po na bëjnë të paguajmë për shkatërrimin e Moskvës”, thonë ukrainasit. 

Ekipet e shpëtimit dhe mjekët po punojnë në vendngjarje, ndërsa numri i viktimave ende nuk dihet.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte përdorur armë “me precizion të lartë me rreze të gjatë” për të goditur uzinën.

Goditja në kryeqytetin ukrainas është ndër të parat që kur forcat pushtuese ruse filluan të tërhiqen nga rajonet përreth Kievit, pasi qyteti, dita ditës, dukej se po kthehej në normalitet.

Dyqanet kishin filluar të rihapen dhe qytetarët po dilnin përsëri në rrugë.

Para pushtimit, rajoni i Kievit kishte një popullsi prej 3.5 milionë banorësh, por pas bombardimeve të para kryeqyteti ukrainas filloi të dukej si një qytet fantazmë, me një në dy banorë që largoheshin nga qyteti.

Pas njoftimit se rajoni i Kievit ishte çliruar nga rusët në atë që u cilësua si fitorja më e madhe e Ukrainës në luftë, mijëra banorë që ishin larguar pas pushtimit po përgatiteshin të ktheheshin.

Megjithatë, pas dy javësh qetësie relative në qytet, të shtunën në mëngjes – pas një sulmi në një fabrikë automjetesh të blinduara në kryeqytetin ukrainas – kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, paralajmëroi banorët se nuk ishte koha e duhur për t’u kthyer.