Bashkimi i PD nuk bëhet duke ndjekur linjën e Ramës për thërrmimin e opozitës!

Për fat të keq PD vazhdon të ketë një ngërç i cili provokohet artificialisht nga dy tre kokrra që L.B duket se i la qëllimisht pas tij si “litar jashtë varrit”. 

I trembur nga mbledhja e firmave të deputetëve për ta shkarkuar, L.B u detyrua të japë 'dorëheqje' përpara mbështetësve të tij (se demokratët e kishin shkarkuar që në dhjetor). Po duket se edhe kjo ka qenë një hile tjetër e tij, që gjithnjë e më shumë ecën në rrugën e Ramës. 

L.B e nisi rrugën e tij si kryetar i PD duke u përpjekur t'i ngjante Sali Berishës, po kur e pa se për karakterin e tij ishte e pamundur të bëhej një Sali Berishë i dytë, atëherë duket se vendosi të imitojë Ramën. 

Nga dy njerëz që L.B i konsideron si të suksesshëm në politikë, midis liderit të vërtetë dhe hilacakut manipulator e të paburrë, ai zgjodhi të dytin. 

Po le të kthehemi tek PD. 

E kam thënë e stërthënë se lobimi në DASH për të shpallur Berishën “non grata” ishte pjesë e një strategjie për të përçarë e madje për ta thërrmuar opozitën në mënyrë që Rama të kishte rrugën të shtruar e pa asnjë pengesë. 

Është e qartë që një qeveri e korruptuar dhe e zhytur në skandale, një qeveri që dhe zgjedhjet e 25 prillit i mori nëpërmjet manipulimit (konstatime këto të bëra dhe nga vetë DASH), do ta kishte shumë të vështirë të përballej me një opozitë të fortë e të vërtetë. Për këtë arsye grupet e interesit që ju duhet Rama në pushtet, lobuan fuqishëm dhe rezultati dihet…

Rama u urua nga ambasadorja Kim “për mandatin historik” ende pa u mbyllur procesi zgjedhor!

Ndërkohë L.B iu premtoi demokratëve (përfshi dhe drejtuesit e PD) se nuk do e njihte rezultatin e 25 prillit e se në shtator do të fillonte betejën pa kompromis për “masakrën zgjedhore”. 

Në fakt, më 9 shtator, L.B u vu hapur në shërbim të të njëjtës strategji që synonte thërrmimin e opozitës dhe në vend të betejës kundër Rames iu dha demokratëve betejën me njëri-tjetrin. “Masakra zgjedhore” u harrua e madje doli që shkaktari i humbjes na ishte Berisha! 

Këto ditë lexova disa nga zvarritësit e L.B që me paturpësi na kërkonin llogari ne (Komisionit të Rithemelimit) se nuk paskemi reaguar pas konstatimeve të Departamentit Amerikan se me 25 prill janë manipuluar votat. E vërteta është që jo vetëm këto ditë ne reaguam me deklarata duke filluar nga Berisha, unë që po shkruaj e të tjerët, po këta të paturpë bëjnë sikur nuk e dinë që një nga arsyet e përplasjes tonë me L.B ishte pikërisht fakti që ai nuk i lejoi demokratët as të protestonin për masakrën e jo më të bënte betejën që premtoi. E tani pikërisht këta që bashkë me L.B shitën demokratët tek Rama, kanë guxim të kërkojnë dhe llogari. 

Në fakt ata vazhdojnë misionin që iu ka lënë L.B, zvarritjen dhe përçarjen. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër që edhe pas 6 marsit, ku gjërat u bënë të qarta më së miri dhe kur vetë L.B e quajti si një nga arsyet e dorëheqjes së tij, përçarjen që solli mes demokratëve me vendimin e tij personal, të vazhdohet nga mëkëmbësi pa asnjë tagër i L.B, e njëjta linjë. 

Alibeaj, i cili është shkarkuar si gjithë të tjerët me 11 dhjetor, u pranua nga ne si kryetar grupi, pikërisht për të dhënë një sinjal më shumë drejt bashkimit dhe normalizimit të punës së grupit parlamentar që duhet të jetë pararoja në përballjen me Ramën.

Po çfarë ndodh?

Ndërkohë që shumica absolute e deputetëve kërkojnë bashkimin dhe gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për një PD të bashkuar që t'i rikthehet më në fund rrugës së saj të opozitarizmit, zotëria as nuk i hap rrugë kësaj mundësie. Është mbledhja e dytë që ne deputetët e grupit mblidhemi të gjithë bashkë dhe fjalët e para dhe të vetme të atij që ishte pranuar për kompromis në krye të grupit, janë: "Ju jeni të përjashtuar”.

Mbledhja e së martës u shpall si mbledhje që në rend të ditës do kishte pikërisht bashkimin! Por në mënyrë ironike, asnjë nga deputetët që për ta konsiderohen të përjashtuar, as nuk u njoftua për të marrë pjesë në mbledhje! E kur në shkuam pavarësisht kësaj, fjalët e para të Alibeajt ishin po të njëjtat “ju jeni të përjashtuar”… Atëherë me kë do e bëjë bashkimin zotëria?!

Në fakt as nuk e kanë në plan bashkimin, përkundrazi.

Unë deklarova atë ditë pasi dola nga ajo mbledhje e padenjë, se Alibeaj dhe dy tre të tjerë nuk ecin me axhendën e demokratëve po me atë të linjës tashmë të dukshme Rama-Basha. Axhenda e grupit parlamentar të PD nuk mund të jetë vazhdimi i axhendës së Kongresit të Ramës. Rama bërtiste në Kongresin e tij më shumë i trembur se kurdoherë, se Berisha qenka gur në qafën e vendit (në fakt është guri në qafën e Ramës) e të njëjtën gjë bëjnë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, ata që L.B i la si litar jashtë varrit për të zvarritur demokratët.

Po nuk është vetëm kjo. Alibeaj është ai që me porosi, hodhi në gjyq PD.

Pasi iu shpërndanë atyre pak viktimave që i ndjekin akoma, një deklaratë të cilën copy-paste e nxjerrin me grafik të gjithë, ku ankohen se gjoja po i përjashtojnë nga procesi zgjedhor, pikërisht këta marrin në telefon demokratët (ish-ndjekës të L.B deri më 6 mars) që po bëhen pjesë e procesit, e iu kërkojnë që ta refuzojnë bashkimin dhe bashkëpunimin. Janë me dhjetëra rastet e denoncuara, ku pikërisht këta tre kokrrat e L.B, i marrin në telefon dhe përpiqen t'i ndalojnë.

“Prisni - ju thonë - sa të dalë vendimi i apelit”. 

Çfarë do të thotë kjo? Thjeshtë është tentativa e radhes për ta zvarritur e mbajtur sa më gjatë PD në këtë gjendje. 

Nuk besoj që është harruar deklarata dhe propozimi i Alibeajt në rolin e mëkëmbësit, që PD të mos bënte zgjedhje deri pas zgjedhjeve lokale të 2023!

Qëllimi ishte dhe është i qartë; t'i falen Ramës dhe ato zgjedhje. E në vazhdën e kësaj janë dhe tentativat për të zvarritur pa fund zgjedhjet dhe Kuvendin e PD.

Ne pikërisht për t'ju dhënë kohë atyre që donin të bashkoheshin e shtymë njëherë Kuvendin me më shumë se një muaj. Kush dëshironte vërtetë të afrohej dhe nuk pati komplekse, u afrua. Disa prej atyre që quhen si ish-mbështetës të L.B edhe u zgjodhën.

Sigurisht ka demokratë që e kanë ende të vështirë në këto momente se duhet pranuar që situatat e nxehta duan kohën e tyre që të ftohen. Po ka dhe nga ata që bien viktima të lojës së fundit të mëkëmbësve të L.B. Loja e tyre mbetet loja e Ramës, nuk ka shpjegim tjetër për veprimet dhe aktet që ndërmarrin. 

Ata të cilët iniciuan çarjen në PD; që injoruan dhe përjashtuan shumicën e demokratëve; që blinduan selinë e mbytën me gaz demokratët; që bënë çdo hile e mashtrim në dëm të demokratëve, tani vënë dhe kushte për bashkim, ndërkohë që pjesa tjetër, ajo që pësoi dhe e cila rezultoi shumicë edhe me 6 mars, shtriu dorën e bashkimit! Kjo ndodh vetem sepse ata që vënë kushte, kanë një synim, zvarritjen e PD.

E në këtë lojë të Ramës ka një pengesë që është Sali Berisha dhe Komisioni i Rithemelimit. Ja pse jo më larg se dje, L.B u bashkua dhe njëherë hapur me Ramën. Jo pse pranoi që komunikonte me të me mesazhe, por në thirrjen e njëjtë që Rama lëshoi në Kongresin e tij dhe L.B e pasoi; ndihmë SPAK-ut që t’ju heqë qafe opozitën…!

Prandaj demokratët që kërkojnë bashkimin dhe forcimin e PD, duhet të harrojnë çfarë na ndau këto kohë dhe të bëhemi bashkë për të fituar së pari zgjedhjet e 2023 e më pas “për të çuar në djall” Ramën. Çdo rrugë tjetër që iu pëshpëritet në tavolina e në telefona nga L.B dhe kokrrat e mbetura të tij në PD, është rruga ku do ta çojë PD, Rama!