FOTO/ Prokuroria e Palermos asnjë akuzë ndaj Rezart Taçit: Nuk ka regjistrime…

Ndaj biznesmenit Rezart Taçi nuk ka asnjë akuzë të ngritur nga Prokuroria e Palermos, për pastrim parash. Në Tiranë nga ana tjetër, SPAK ka ngritur një akuzë ndaj Taçit, pikërisht nga dokumentet e ardhura nga Palermo.

Duket se drejtësia italiane është tërhequr nga akuzat ndaj Taçit dhe aktet e sjella në Tiranë, nuk dihet sa do ti vlejnë SPAK për të vazhduar hetimin ndaj biznesmenit.

Më poshtë në një dokument zyrtar të Prokurorisë së Palermos, thuhet se nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur as në përfundim të hetimeve paraprake të nëntorit 2021 dhe në përfundim të hetimeve të marsit 2022 për këtë çështje, për Rezart Taçin.

‘Nuk ka regjistrime subjekt i komunikimit’, thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Biznesmeni rezulton i pafajshëm lidhur me çështjen e transferimit të 18 milionë euro nga llogaria e ekonomistit Francesco Zummo nga një banke zvicerane në llogarinë e Taçit në një bankë në Shqipëri.

Kujtojmë që në dhjetor të 2021, prokuroria italiane, rrëzoi edhe akuzat e ngritura ndaj Fabio Petruzzela për bashkëpunim.

Gjyqtari për këtë çështje tha se kontabilisti do të hetohet vetëm për akuzën e pastrimit të parave, pasi ka qenë pikërisht ai që ka kërkuar dhe kryer transferimin e rreth 18 milionë eurove.

Kështu që SPAK do ta ketë të vështirë që të mbajë akuzat e ngritura ndaj Rezart Tacit për përfshirje në transferimin e shumës prej 18 milion euro.